Lajme Shqip Friday, 15 July 2011 08:45

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha dhe Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (ANEA), Yukiya Amano e cilësuan dje të suksesshëm bashkëpunimin në fushën e mjekësisë.

Sipas zyrës së shtypit të kryeministrisë, në fillim të takimit, Kryeministri Berisha shprehu keqardhjen e thellë për humbjen tragjike të jetëve njerëzore nga tërmeti dhe cunami i muajit mars 2011. Kryeministri vlerësoi mënyrën me të cilën populli japonez është ballafaquar dhe përpjekjet e mëdha që po bëhen për ta rikthyer situatën nën kontroll e për të minimizuar dëmet e shkaktuara nga aksidenti bërthamor në Fukushima.

Në këtë drejtim, Kryeministri Berisha vlerësoi si shumë të çmuar ndihmën që Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike po jep për të kapërcyer këtë situatë.

Kryeministri u ndal në bashkëpunimin e frytshëm që qeveria shqiptare ka me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, ndër të cilët kontributin e saj në fushën e mjekësisë. “Falë ndihmesës së Agjencisë është bërë i mundur trajnimi i një numri të konsiderueshëm personeli mjekësor, pajisja me aparatura për trajtimi më cilësor me radioterapi të pacientëve me kancer, pajisja me gammakamera multifunksionale, furnizimi me radioizotope e kite dhe funksionimin e shërbimit të mjekësisë bërthamore në QSUT”, tha Berisha, duke shtuar se lufta kundër kancerit është ndër prioritetet kryesore në fushën e shëndetit.

Nga ana e tij, Amano vlerësoi bashkëpunimin me Shqipërinë në zbatimin e projekteve në fushën e shëndetësisë. Ai u shpreh i gatshëm për të thelluar bashkëpunimin me qeverinë shqiptare dhe ndihmën konkrete në fushën e shëndetësisë.

“Shqipëria është një ndër vendet flamur të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike në thithjen dhe zbatimin e projekteve, prandaj do të promovohet nga kjo Agjenci për të shfrytëzuar një fond të ri të UN për përdorimin e medikamenteve nukleare dhe trajtimin me substanca të tilla”, tha Amano.