Lajme Shqip Thursday, 14 April 2011 16:43

Tiranë – Pas vendimit të qeverisë për faljen e faturave të prapambetura të energjisë elektrike, Ministria e Punës po punon për evientimin e shtresave përfituese.

Ky proces po përgatitet, bazuar edhe në programin e qeverisë për mbështetjen e grupeve shoqërore që janë në nevojë. Sipas klasifikimeve të bëra nga grupet e punës, pjesë e skemës së faljes së detyrimeve do të jenë të gjithë kryefamiljaret që janë në skemën e ndihmës ekonomike. Ky vendim do të përfshijë edhe familjet që kanë në përbërje anëtarë me aftësi te kufizuara, të verbrit paraplegjikë dhe tetarplegjikë, të lindur ose të bërë të tillë.

Një tjetër kategori që do të përfitojë faljen e detyrimeve do të jenë edhe jetimët. Sipas të dhënave me këtë kategori pohohet se numri i përfituesve është rreth 1000 kryefamiljarë që janë kanë statusin e jetimit.

Krahas tyre do të përfitojnë dhe kategoria e kryefamiljareve, të cilët janë në pagesë papunësie dhe që nuk kanë të ardhura të tjera; pensionistët që jetojnë të vetëm dhe invalidët e punës.

Të dhënat e deritanishme tregojnë se numri i përfituesve potencialë është rreth 270 mijë abonentë.

Ndërsa institucionet përgjegjëse si Ministria e Punës, Ekonomisë, Financave dhe ajo e Brendshme do të hartojnë udhëzimet përkatëse në lidhje me procedurat që do të ndiqet për evidentimin e saktë të familjeve që do të përfitojnë faljen e detyrimeve të prapambetura të energjisë.