Lajme Shqip Monday, 25 April 2011 11:45

Shkup – Shqiptarët vazhdojnë të ruajnë traditat e tyre shekullore dhe kombëtare. Edhe pse kohërat e sotme kanë sjellë ndryshime të mëdha, ka disa gjëra të shenjta të cilat nuk mund t’i prek asnjë “kohë moderne”. Me një fjalë shqiptarët përkujdesen për prindërit e tyre deri në vdekje. Një fakt të tillë e vërtetojnë edhe të dhënat e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale (MPPS). Të dhënat e këtij dikasteri tregojnë se investitorët shqiptarë aspak nuk janë të interesuar për të hapur shtëpi private, gjegjësisht të pleqve në krahasim me maqedonasit. Ndërkohë që ministri i MPPS-së, Xhelal Bajrami thotë se shqiptarët nuk janë aspak të interesuar për hapjen e shtëpive të pleqve pasi ata ruajnë vlerat tradicionale dhe kujdesen për prindërit deri në vdekje. “Interesimi është zero nga subjektet shqiptare për hapje të shtëpive private për pleq. Interesimi fatmirësisht është i vogël nga personat e moshuar shqiptarë për të qëndruar në shtëpi të pleqve. Shqiptarët ende i ruajnë vlerat dhe traditat, që nënkupton se ata ende përkujdesen për prindërit e tyre”, tha ministri Bajrami. Siç bëjnë të ditur nga MPPS, deri tani janë ndarë 11 licenca për shtëpi të pleqve dhe vetëm dy për çerdhe fëmijësh. “Deri më tani Qeveria e Maqedonisë përmes MPPS-së ka dhënë 11 licenca për funksionim të shtëpive private të pleqve, ndërsa për çerdhe private janë vetëm dy. Mirëpo, ka edhe disa kërkesa të parashtruara për çerdhe dhe shpresojmë se edhe ata do ti plotësojnë kushtet për pajisje me licence për të filluar me punë”, tha Bajrami. Nga ana tjetër në vendet evropiane përqindja e familjeve që vizitojnë çerdhet është 95 për qind, ndërsa në Maqedoni vetëm 14 për qind. MPPS-ja me ndryshimet e ligjit për mbrojtje të fëmijëve thjeshtësoi procesin e hapjes së çerdheve të reja si dhe filloi ndërtimin e çerdheve në ato komuna ku nuk ka pasur.

Me fillimin e vitit të ri shkollor do të fillojnë me punë edhe dy çerdhet e para të ndërtuara nga kjo ministri në Saraj dhe Likovë. Përndryshe, sipas një studimi të UNICEF-it fëmijët janë me inteligjent nëse deri në moshën 3 vjeçare përkujdesen nga gjyshërit ndërsa pas kësaj moshe përkujdesja e tyre në çerdhe ndikon në inteligjencën e tyre me çka janë më të aftë për t’u përballur me jetën. Sipas këtij studimi sugjerohet që të ketë edhe orare të shkurtuara vetëm 2 ose 4 orë në ditë qëndrim të fëmijëve të moshës 3 deri në 5 vjeç, nga që aty ata socializohen.