Lajme Shqip Saturday, 23 April 2011 18:26

Shkup – Shumë pacientë janë të vetëdijshëm për rrezikun që shkakton përdorimi i tepërt i ilaçeve. Varshmëria që krijojnë ndaj ilaçeve këto persona mund të sjellin përpjekje të kota për të trajtuar shumë sëmundje. Gjatë këtij viti vëmendja e Ministrisë së shëndetësisë (MSh) është përqendruar mes të tjerash dhe në krijimin e bindjes te qytetarët që është shumë i rrezikshëm përdorimi i antibiotikëve pa rekomandimin e mjekut. Por nuk është më pak problematike përdorimi i këtyre ilaçeve që mjeku rekomandon, por me sasi dhe në kohë sipas mundësisë që vetë pacientët krijojnë. Në një anketë të kryer nga Instituti i shëndetit publik (IShP) gjatë këtij muaji dilte e qartë se pacientët nuk e dinë tërësisht rrezikun e përdorimit të antibiotikëve pa udhëzimin rigoroz të mjekut.

Shumë sëmundje që më herët mund të trajtoheshin shpejt dhe saktë me një lloj antibiotiku, tashmë është e pamundur. Pacientët e kanë shumë të lehtë që fajin për mos trajtimin e sëmundjes në kohë ja hedhin paaftësisë së mjekut ose cilësisë së ilaçeve. Në më të shumtën e rasteve për trajtim jo të suksesshëm duhet të hidhet vështrimi në përdorimin e antibiotikëve pa kriter nga ana e popullatës, duke filluar nga shurupet që ju jepen fëmijëve e deri te medikamentet që mund të quhen të thjeshta për qetësim.

Ky fenomen më herët është bëri i dukshëm dhe në vendet evropiane, ku më rezistenca e mikroorganizmave ndaj antibiotikëve ka filluar të shkaktojë ekstra shpenzime në sistemin shëndetësor por dhe viktima. Gjatë anketës së kryer nga IShP u shtruan pyetje për mënyrën se si e marrin terapinë me antibiotikë, a e merrni në kohën dhe sasinë e duhur dhe a kanë efekt antibiotikët ndaj gripit. “Në anketën e zhvilluar, pjesa më e madhe e të anketuarve, 74 për qind e tyre janë përgjigjur se marrin antibiotikë vetëm me recetë të mjekut dhe në këtë përgjigje nuk kishte dallime të mëdha mes meshkujve dhe femrave, 13 për qind e të anketuarve merrnin antibiotikë sipas zgjedhjes së tyre dhe po rreth 13 për qind merrnin antibiotikë dhe sipas këshillave por dhe sipas zgjedhjes së tyre. Në Evropë 95 për qind e personave të anketuar nga KE marrin antibiotikë sipas këshillimit të mjekut”, thonë nga IShP. Më tepër të bindur për të marrë terapinë sipas urdhrave rigorozë të mjekëve janë grupmosha mbi 60 vjeç, njësoj si dhe në vendet evropiane. Mes moshës 20 dhe 50 vjeçar ka më tepër prej tyre që marrin terapinë sipas zgjedhjes së tyre. Numri i këtyre përdoruesve nuk mund të jetë i analizuar si duhet pasi kjo grupmoshë merr antibiotikë për më tepër persona në familje, ku bëjnë pjesë mes tyre dhe fëmijë e pleq. “Mbi 50 për qind e të anketuarve kanë zgjedhur të përgjigjen se ndaj gripit ka vepruar përdorimi i antibiotikëve, 32 për qind e të anketuarve të tjerë mendonin se jo, ndërsa të tjerët se nuk kishin dijeni për këtë lidhje. Kjo tregon qartë nevojën për forcimin e masave edukative edhe në shkollat ku ata marrin njohuritë bazë dhe aktivitetet për të edukuar tërësinë e popullsisë në drejtim të zbatimit dhe efektivitetit të antibiotikëve. Rolin në këtë proces arsimor duhet ta luajë sistemi i arsimit në të gjitha nivelet, sistemi shëndetësor në vend dhe me siguri mediat kanë një rol të rëndësishëm në transmetimin e informacionit dhe edukimit të duhur të popullatës”, thonë nga IShP.