Lajme Shqip Saturday, 14 May 2011 12:30

Shkup – Sipas një statistike, që mund të përputhet dhe me atë botërore, rreth 20 për qind e fëmijëve janë me nevoja të veçanta. Fëmijët me nevoja të veçanta, sipas statistikës në Maqedoni, identifikohen në 2,5 për qind të rasteve. Të gjithë të tjerët, nuk trajtohen sepse nuk ka mundësi identifikimi dhe mundësi trajtimi. Për fëmijët shqiptarë është edhe më e keqe situate, sepse për ta është i detyrueshëm shkollimi deri në nivelin e mesëm.

Por, dhe nëse një fëmijë në klasë është me nevoja të veçanta, atëherë paralelja duhet të ketë 4 nxënës më pak, që të jepet hapësirë për të punuar më tepër me këta nxënës. Kjo gjë, në paralelet shqiptare nuk funksionon. Së pari fëmijët me nevoja të veçanta, nuk arrijë të njihen si të tillë, duke penguar zhvillimin e tyre intelektual dhe atë të moshatarëve të tyre, që nuk konsiderohen me probleme në zhvillim.

“Për fëmijë me nevoja të veçanta nuk ka trajtim të duhur. Është duke u tentuar të hapet Fakulteti i defektologjisë, ku do të specializohen personat që mund të punojnë në mënyrë të specializuar me këta fëmijë. Ka shumë pak paralele që janë speciale, ndërsa ka shumë fëmijë që nuk trajtohen. Fëmijët që kanë lëndime të lehta intelektuale, nuk arrijnë në shumicën më të madhe të rasteve të identifikohen, por ajo që është shqetësuese është se edhe fëmijët me lëndime të rënda dhe shumë të rënda, nuk po mund të trajtohen në mënyrë institucionale”, thotë nënkryetari i Shoqatës “Rrezja”, Bunjamin Memedi. Sipas tij, për fëmijët shqiptarë është shumë problematike, sepse edhe në institucionet përkatëse që janë, mësimi është vetëm në gjuhën maqedonase. Ai thotë se kjo nuk lejon përparimin e tyre. “Nëse vetëm 10 për qind e fëmijëve me nevoja të veçanta do të trajtoheshin, do të ishte sukses i madh. Pengesë tjetër e madhe është mos dija për ti identifikuar këto raste. Për momentin, fëmijët shqiptarë po trajtohen vetëm në shoqatën ‘Rrezja’ me tre degë: në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë”, tha Memedi.