Lajme Shqip Saturday, 07 May 2011 13:35

Shkup – Ndryshon mënyra e dhënies së disa barnave që ishin specifike dhe që më herët mund të merreshin vetëm nga mjekët subspecialistë nëpër klinika të Shkupit. Nga “shëtitja” që pacientët e siguruar duhet të bënin për të marrë qoftë dhe një ilaç të vetëm, tani pritet sigurimi i këtij ilaçi vetëm nga receta e mjekut amë. Për 29 medikamente nga ana e Shoqatave të gjinekologëve amë, pediatërve amë dhe internistëve është kërkuar që të jepet mundësia të ndryshohet mënyrë e dhënies së tyre deri te pacientët. Më herët këto ilaçe mund të shkruheshin vetëm nga subspecialistët. Meqënëse kjo kategori e mjekëve është e përqendruar vetëm në Shkup, ishte problematike për pacientët që të mund të mbërrinin në kohë ta merrnin trajtimin përkatës, pas lëshimit të tyre për trajtim shtëpiak.

Gjatë vitit të kalur Shoqata e mjekëve privatë (ShMP), Shoqata e pacientëve (ShP) dhe Fondi për sigurim shëndetësor (FSSh) morën iniciativën për të bërë disa ndryshime në mënyrën e shkrimit të medikamenteve që i përkasin shërbimit tercial, pra shërbimit që mund të kryhet vetëm në klinika. Sipas zëdhënësit të FSSh Branko Axhigogov, më datë 27 prill, u vendos përfundimisht që të lejohen disa barna të mund të merren dhe nga recetat e mjekëve amë. Kjo që u aprovua ishte vetëm lista fillestare, ku kryesisht ka antibiotikë, ndërsa gjatë javës së ardhshme nga Fondi priten të reja të tjera mbi mundësi të zgjerimit të kësaj liste, nëse një gjë e tillë kërkohet nga ShMP.

“Vitin e kaluar FSSh, me iniciativë të ShMP dhe ShP, filloi rishikimi i disa medikamenteve për të hyrë në regjimin e shkrimit të recetës nga ana e mjekëve amë. Vendimi i fundit ishte që disa medikamente të mund të shkruhen vetëm nga ana e subspecialistëve. Për pacientët në qytete të tjera ishte problem marrja e këtyre ilaçeve. U rishikuan shumë çështje dhe dolën disa përfundime, ku mes të tjerave, për të siguruarit u lëshua regjim i ri i dhënies me recetë të disa ilaçeve”, ka thënë Axhigogov.

Sipas kryetares së ShMP Lilija Çollakova Dervishova, ishte i nevojshëm ndryshimi i përshkrimit të barnave, pasi limitohej trajtimi në vazhdimësi i të gjithë të siguruarve në kohën e duhur. “Që prej marrjes së postit në qershor të vitit të kaluar, u konsultuam që të bënim regjim të ri për shkrimin e disa barnave nga recetë për subspecialistë në receta për specialistë. Me këtë ju jepet mundësia 29 barnave që përfshihen për trajtimet e sëmundjeve në gjinekologji, pediatri e interno, që të mund të merren nga mjekët amë të këtyre specialiteteve. Regjimi i fundit i përshkrimit të barnave ishte përpiluar në vitin 2007. Medikamentet që u kërkuan nga ana jonë, të njëjtat dhe u pranuan nga ana e FSSh që të përshkruhen nga ana e specistëve amë. Me këtë të siguruarit nuk do të shkojnë në 5-6 vende për të siguruar medikamentin e tyre bazë, por vetëm te mjeku amë i tyre.”, tha Çollakova Dervishova. Kryesisht këto 29 barna që janë kërkuar dhe janë vendosur në mundësinë e përshkrimit në recetë nga ana e mjekëve amë, janë shumë të shtrenjta. Mjekët amë sipas një vendimi më të hershëm të FSSh, nuk mund të përshkruajnë më tepër barna në recetë sesa për shumën 550 denarë. Sipas kryetarit të shoqatës së pediatërve privatë Ivan Supollovski, ilaçet që do të futen në këtë listë janë më të lira se ky limit financiar. E njëjta gjë u pohua dhe nga specialistët gjinekologë.