Lajme Shqip Sunday, 10 April 2011 11:36

Shkup – Muaji prill po vazhdon me persona që po preken nga gripi sezonal në Maqedoni. Edhe pse ishte parashikuar sipas ekspertëve shëndetësorë se paraqitja e tij do të përfundonte në fillim ose më së voni në mes të muajit mars, gripi është duke u shoqëruar edhe nga epidemia e fruthit e paraqitur në 13 qytete. Javën e fundit u regjistruan 303 raste të reja me grip, në Shkup 58 raste, Strumicë 56, Kumanovë 34, Kërçovë 32, Kavadarci 25, prilep 23, Tetovë 16 raste me grip. Faji kryesor për të dyja këto sëmundje është hedhur te popullata e cila nuk është vaksinuar për shkak të neglizhencës apo të frikës. Në mesin e popullsisë është evidentuar se një e pesta e saj është e pa vaksinuar. Ky terren ka lënë vend për shfaqjen e shumë sëmundjeve ngjitëse që do mund të eliminoheshin, mes tyre dhe gripi sezonal e fruthi. Nga ana e Ministrisë së shëndetësisë (MSh) dhe Instituti i shëndetit publik (IShP) janë marrë masa shtesë për të vaksinuar me anë të ekipeve lëvizëse pjesën e popullsisë e cila nuk ka të dhëna për vaksinim të rregullt. “Nuk ka vend për panik por duhet të jemi të kujdesshëm. Komisioni për sëmundje ngjitëse mban vazhdimisht mbledhje dhe po ndërmerr masa. Dhashë urdhër që gjithkund ku do të ketë edhe një rast të dëshmuar laboratorik apo së paku dy raste të lidhura epidemiologjike, të bëhet vaksinimi komplet i të gjithëve, prej moshës gjashtëmuajshe deri në atë 40 vjeçare. Ka edhe aksion të jashtëzakonshëm dhe ndërrim të dytë atje ku ka mundësi të vaksinohen. Përfshirja me vaksinim për fruthin është e lartë, rreth 97 për qind. Pres që epidemia të mos marrë hov më të madh. U bëj thirrje qytetarëve që atje ku do të thirren, të vaksinohen edhe foshnjat deri gjashtëmuajshe, të mos rezistojnë sepse nuk ka kurrfarë rreziku nga vaksina dhe vetëm do t’i mbrojnë fëmijët e tyre.”, tha ministri i shëndetësisë Bujar Osmani. Prej të dy sëmundjeve më të prekurit janë fëmijët deri katër vjeç, ndërsa qytetet me më tepër të sëmurë janë Shkupi, Kumanova, Strumica, Prilepi e Tetova. Deri tani zyrtarisht me grip sezonal janë regjistruar 27321, ose 134 persona në 10 mijë banorë, ndërsa me fruth deri tani ka patur 650 raste. Mes të prekurve me grip ka pasur 17 raste vdekjesh, dy prej tyre fëmijë. Mes fëmijëve deri katër vjeç janë prekur me grip 318 fëmijë në 10 mijë banorë, nga 5-14 vjeç 224 fëmijë në 10 mijë banorë, ndërsa mbi 65 vjeç janë prekur 61 persona në 10 mijë banorë. Grup mosha 15-64 vjeç ka patur 57 për qind të të gjithë të sëmurëve ose 117 persona në 10 mijë banorë. “Veprimtaria e virusit të influencës në Maqedoni tregon një tendencë të rënies në vazhdimësi, por pritet që në javët e ardhshme të regjistrohen të sëmurë nga gripi, duke marrë parasysh përvojat nga sezonet e mëparshme. Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet zbatimit me kohë të vaksinimit të rregullt me vaksinë MRP, vaksina kundër fruthit, me theks të veçantë në fëmijët e moshës 1 deri në 4 vjet, që sipas të dhënave të marra deri tani janë më të përfaqësuar në mesin e pacientëve. Për shkak të morbiditetit të lartë te fëmijët e moshës nën një vit, ka lindur nevoja për vaksinim shtesë me vaksinë MRP për fëmijët e moshës 6 deri 12 muaj në vendbanime ku është shpallur epidemia. Në mënyrë që të zvogëlohet rreziku i përhapjes së infeksionit, të gjithë punonjësit mjekësor që mund të vijnë në kontakt të drejtpërdrejtë me personat e infektuar duhet të marrin një dozë të vaksinës në qoftë se nuk është i vaksinuar dy doza të MRP.”, thonë nga sektori për kontroll të sëmundjeve ngjitëse.