Lajme Shqip Saturday, 14 May 2011 15:00

Shkodër – Fëmijët e vaksinuar të moshës 0-14 vjeç tashmë do të jenë të regjistruar elektronikisht, falë një projekti të Ministrisë së Shëndetësisë, në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik dhe Drejtoria e Shëndetit Publik në Shkodër.

Këto institucione inicuan një tryezë të rrumbullakët, në lidhje me projektin pilot të regjistrimit elektronik të vaksinimit për fëmijët. Qëllimi i kësaj tryeze ishte trajnimi i personelit mjekësor, në qendrat shëndetësore të rrethit për zbatimin e këtij projekti.

Enver Roshi, drejtor i Institutit të Shëndetit Publik, në një prononcim për ATSH-në tha se “projekti në fjalë është pjesë e sistemit kombëtar të regjistrimit elektronik të vaksinimit dhe Shkodra është zgjedhur si rreth pilot për të bërë testimin e regjistrit të imunizimit”.

Roshi tha se “ky projekt synon të trajnojë të gjitha vaksinatoret e rrethit të Shkodrës në lidhje me regjistriin elektronik të të gjithë fëmijëve të vaksinuar nga mosha 0-14 vjeç, ku më së pari do të fillohet me fëmijët më të vegjël të moshës 0-1 vjeç dhe më pas do të vijohet me moshat e tjera”.

Shkodra ka një mbulesë vaksinamale prej 98 %, që është edhe niveli më i lartë në të gjithë Shqipërinë, çka ka bërë që ky qytet të përzgjidhej për nisjen e këtij projekti.