Lajme Shqip Tuesday, 03 May 2011 15:38

Shëndetësi, shqiptarë paguajnë nga xhepi

 

Tiranë – Sektori publik mbulon vetëm 40 për qind të shpenzimeve në shëndetësi, pjesa tjetër mbulohet nga sektori privat. Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor mbulon vetëm 45 për qind të shpenzimeve për shëndetësinë të familjeve shqiptare.

Më të goditur nga kjo gjë janë grupet me nivel të ulët të ardhurash. Për sistemin finaciar që ka zgjedhur Shqipëria për shëndetësinë pritej që sektori publik të kishte një prevalencë më të lartë. Sipas informacionit të publikuar nga Open Data Albania në raportin midis financimit privat dhe atij publik, duket se sektori privat zë peshën më të madhe.

Pra, shqiptarët paguajnë më shumë vetë nga xhepi i tyre për shëndetin se sa shërbimet që financon shteti. Sipas një krahasimi nga viti 2005 në vitin 2009, sektori publik mbulon vetëm 40% të shpenzimeve totale, gjë që shpie në pabarazi të përfitimit të kujdesit shëndetësor.

Kjo godet akoma më tej grupet me nivel të ulët të ardhurash pasi ato kanë me pak mundësi për të përballuar vetë shpenzimet shëndetësore.

Nëse këtu do të përfshiheshin edhe pagesat informale të kryera nga individët, shifrat do të përkeqësoheshin akoma më shumë. Në fakt, sondazhet nëpër familje tregojnë se vetëm 40-45% e popullsisë mbulohet efektivisht nga ISKSH, që do të thotë se pjesa tjetër paguan drejpërsëdrejti për shërbimet e përfituara.

Sektori privat përfshin pagesat direkte “out-of-pocket” të kryera nga individët, sigurimet private, dhuratat e bamirësisë dhe pagesat direkte të shërbimeve të organizatave private që iu shërbejnë individëve (psh OJF-të).

Ndërsa shpenzimet e sektorit publik janë shpenzimet korrente dhe kapitale, të financuara nga buxhetet e qeverisë qëndrore apo lokale, huatë e marra jashtë vendit apo grantet si dhe nga kontributet e sigurimit shëndetësor.

Ritmi i rritjes së shpenzimeve totale të shëndetësisë ka qenë shumë i lartë deri në vitin 2000, mesatarisht 34%. Edhe përqindja ndaj PBB-së në periudhën 1995-2000 ka pasur ritëm rritjeje më të lartë, duke u 2-fishuar nga 3.21% në 1995-n, në 6.35% në 2000-n.

Viti 2004 ka shënuar sërisht një shkëputje të ecurisë, duke shënuar rritje 20% të shpenzimeve totale të shëndetësisë,  krahasuar me vitin 2003 dhe pesha ndaj PBB-së shkoi në 6.88%, nivel i cili mesatarisht është ruajtuar edhe për vitet në vijim. Ky nivel është i krahasueshëm me Vendet me të Ardhura të Ulta dhe të Mesme.

Shpenzimet totale për shëndetësinë llogariten si shuma e shpenzimeve publike dhe private të bëra për shëndetësinë. Ato mbulojnë shërbimet shëndetësore, aktivitetet e planifikimit familjar, ndihmat emergjente për shëndetin, etj. Të dy sektorët kanë një peshë jo të vogël ndaj totalit të shpenzimeve për shëndetësinë, edhe pse me sistemin e financimit të shëndetësisë që ka zgjedhur Shqipëria, duhet të kishte një prevalencë të shpenzimeve publike.