Lajme Shqip Wednesday, 06 April 2011 12:26

Tiranë – Ardhja e pranverës, me klimë të ngrohtë e lulëzimin e luleve, rrit dhe rrezikun nga prekja e alergjive. Ndër shkaktarët kryesorë, sipas mjekëve, është poleni i luleve të ndryshme në lulëzim, i cili përhapet me kilometra larg. Bari i zakonshëm është dhe varianti më i egër i alergjisë, pasi poleni në të është shumë i lehtë dhe përhapet lehtë në ajër. 
Po ashtu, ndikojnë dhe faktorët klimaterikë, si ndryshimi i temperaturave të ajrit, lagështia dhe shirat. Faktori ambient, sipas tyre, është padyshim ndikues, por nuk nuk ka ende një përfundim të saktë mbi shkallën e ndikimit të ngrohjes globale në këtë numër të rritur të individëve të prekur nga alergjia. 
Problemet më të mëdha nga alergjitë vijnë në orët e para të mëngjesit, pasi në këto orë poleni i luleve ka një përqindje më të madhe në ajër. Por, edhe orët e mbrëmjes janë të rrezikshme për alergjikët, ndërkohë që ditët më të këqija janë ato me erë, kur poleni shpërndahet më shpejt. 
Alergjia është ai veprim që ndodh kur sistemi i imunitetit të trupit kundërvepron ndaj diçkaje që zakonisht nuk të bën ndonjë dëm, ndërsa shkaktar i saj është alergjeni. I njëjti alergjen mund të japë simptoma të ndryshme në njerëz të ndryshëm. Por, simptomat më të zakonshme janë hundë që rrjedhin, apo të zëna, sy të kuq të acaruar që të kruhen, kollitje, të tështira, tharje gjuhe dhe fyti, acarime të tyre, vështirësi në frymëmarrje, tharje dhe acarim të lëkurës, etj. 
Alergjitë janë sëmundje sezonale, kronike dhe nuk duhen nënvlerësuar, pasi mund të sjellin pasoja të rënda për organizmin. Nga pakujdesia dhe moskurimi ato mund të kalojnë deri në ekzema të lëkurës, probleme të frymëmarrjes, etj. Por, problematik është fakti që shumë nga pacientët neglizhojnë alergjinë nga poleni, ndaj mjekët këshillojnë që me vënien re të shenjave të para duhet të kryhet testi i alergjisë, për të zbuluar se nga vijnë irritimet dhe më pas fillimin e kurimit lidhur me këto probleme specifike.