Lajme Shqip Thursday, 21 April 2011 06:42

Sarandë – Në nënprefekturën e Sarandës është ngritur shtabi rajonal i luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Sipas Gjergji Manos, nënprefekt i Sarandës, lufta kundër fenomenit të kultivimit të bimëve narkotike ka njohur rritje kohët e fundit, edhe përmes veprimit më të mirë të komunave, ku janë më të shprehura tendencat.

“Nga njësitë e qeverisjes vendore janë bërë përpjekje të mëdha, në bashkëpunim me policinë, për të hequr nga harta e kultivimit të bimëve narkotike dhe për t’i mbyllur çdo hapësirë trafikut të lëndëve tek përdoruesit”, tha Mano.

Muajt e fundit forca goditëse e policisë së Sarandës ndaj këtij fenomeni është cilësuar më vepruese se më parë. Kjo konkretizohet me zbulueshmërinë më të madhe të rasteve të kultivimit dhe të përfshirjes në këtë trafik.

Jugu i vendit konsiderohet zona ku kultivimi i bimëve narkotike gjen terren sidomos në disa komuna të Delvinës dhe në Lazarat (Gjirokastër).