Lajme Shqip Wednesday, 20 July 2011 17:07

Tiranë – Mjekët e Spitalit Onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” kanë realizuar me sukses një operacion të rrallë, pikërisht atë të heqjes së një mase tumorale prej 15 kg në këmbën e një pacienti. Adrian Bankollari, 62 – vjeç, iu nënshtrua ndërhyrjes së rrallë të realizuar për herë të parë në këtë institucion shëndetësor.

Mjeku kirurg, Agim Karaj, ka sqaruar gjithë procedurën e kryerjes së këtij operacioni, duke u shprehur se “kjo është një nga ndërhyrjet më të rënda të realizuara në pavijonin tonë. Pacienti ka ardhur në një gjendje të rëndë shëndetësore pasi tumori ishte në një masë tepër të madhe që bllokonte gjithë kofshën dhe pjesën e legenit. Një pjesë e mjekëve e kishin konsideruar si të paoperueshëm dhe pacienti duhet të shkonte në shtëpi, por me trajtimin medikamentoz që i kemi bërë fillimisht, arritëm në fazën që mund të ndërhynim”.

“Ndërhyrja është realizuar nga barku, duke prerë enët e gjakut për të hequr gjithë pjesën tumorale që ndodhej në këmbe dhe në pjesën e legenit. Aktualisht gjendja është e mirë, pasi tumorri nuk ka një formë agresive malinje, pa metastaza. Ne shpresojmë që gjendja e tij të përmirësohet dhe mund të ketë një mbijetesë si gjithë të tjerët. Po kështu me ndihmën e Drejtorisë se QSUT-së i erdhëm në ndihmë një familjeje e cila nuk ishte në gjendje të mirë ekonomike pasi ky lloj operacaioni jashtë, kushton nga 38 deri në 40 mijë euro”, tha Karaj.

Nga ana tjetër drejtori i QSUT-së, Saimir Ivziku, ka pohuar se ndërhyrja e kryer është e një lloji të veçantë. “Ky operacion për pacientin është kryer falas, kurse kostoja ka shkuar deri në 13 mijë euro. Këtu gjej rastin të bëj falenderimin për të gjithë grupin e mjekëve të cilët kanë realizuar këtë problem. Përsa i përket rasteve me tumore mund të them se kemi një rritje të tyre nga viti në vit, por e rëndësishme është që të bëhet diagnostikimi i plotë i sëmundjes”, ka pohuar Ivziku.

Pacienti është shtruar më 26 qershor në ambientet e onkologjikut, ku po qëndrona akoma për trajtimin përfundimtar të terapisë.