Lajme Shqip Monday, 11 April 2011 15:02

Prishtinë – Klinika e Pediatrisë së Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK) ka përfituar të hënën një donacion nga Rotary Club Prishtina, me ç’rast kjo organizatë ka dorëzuar për 170 shtretër të klinikës 170 jorganë e jastëkë dhe nga dy komplete me çarçafë e mbulesa, si dhe tri lavatriçe.
Në kuadër të ndihmave të saj në shumë sektorë, drejtuesit e Rotary Club Prishtina kanë thënë se duke parë gjendjen e vështirë në klinikë edhe kanë vendosur që të ndihmojnë me disa gjëra elementare.
“Me ndihmën e partnerëve dhe miqve tanë kemi arritur që sot Klinikës Pediatrike në Prishtinë t’i dhurojmë ndihmë nga batanije, çarçafë, mbulesa dhe tri lavatriçe, të cilat do t’i lajnë këto, në mënyrë që këto të mbesin vazhdimisht në këtë klinikë”, ka thënë kryetari i Rotary Club Prishtina, Erolld Belegu.
Sipas tij, përveç aktivistëve të klubit të cilët janë angazhuar direkt për të mbledhur këto ndihma, një kontribut kanë dhënë edhe piktorët e Kosovës.
Kurse drejtori i Klinikës së Pediatrisë në QKUK, Murat Zejnullahu ka thënë se ky donacion përpos që mbulon dhe liron QKUK-në, Ministrinë dhe Qeverinë prej shumë mjeteve harxhuese, sjell edhe lehtësim për prindërit që më nuk kanë nevojë të sjellin mbulesa nga shtëpitë e tyre.
“Është një donacion mjaft i qëlluar ndoshta shumica prej prindërve kanë pasur rast të vinë tek ne, ne jemi në renovim dhe momentalisht nuk kemi pasur mundësi që t’i kemi të gjitha kapacitetet dhe ky donacion i dhënë nga Rotary Club është i mirëseardhur dhe liron Ministrinë dhe Qeverinë prej shumë mjeteve harxhuese. Kjo kishte me qenë diçka dhjetëshe, diçka më e mirë që mund të ekzistonte dhe besoj që kur të vinë prindërit herë tjetër nuk kanë nevojë të sjellin mbulesa nga shtëpitë e tyre”, ka thënë Zejnullahu.
Megjithë vonimin e renovimit të Klinikës së Pediatrisë, drejtori Zejnullahu shprehu besimin se deri në vjeshtë do të përfundojnë të gjitha punimet në këtë klinikë.
Edhe zyrtari i lartë për pasuri në QKUK, Mustafë Bërbatovci ka falënderuar Rotary Club Prishtina duke thënë se QKUK nuk ka pasur mundësi që t’i ofrojë këto ndihma kësaj klinike.
Ndryshe Rotary Club Prishtina i ka dhuruar Klinikës së Pediatrisë për 170 shtretër sa janë gjithsej në këtë klinikë, 170 jorganë dhe jastëkë, si dhe nga dy komplete, përkatësisht 340 çarçafë dhe mbulesa për jastëk dhe mbulesa për jorgan. Po ashtu janë dhuruar edhe tri lavatriçe.