Lajme Shqip Monday, 04 April 2011 11:02

Prishtinë – Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës sërish ka pakënaqësi të punonjësve. Kësaj radhe bëhet fjalë për personelin e mesëm shëndetësor dhe pagesat e kujdestarive. Personeli i mesëm shëndetësor në Qendrën Klinike Universitare është acaruar pasi ka kuptuar se nga ky muaj kujdestaritë e tyre do të  paguhen vetëm 3.60 euro.

Muhamet Sadiku përfaqësues i punëtorëve në mjekimin intensiv, bëri të ditur se këtë zbritje të pagesës së kujdestarive e kanë kundërshtuar rreth 2 mijë punëtorë të qendrës terciare.

Sadiku, tha: “Nuk arsyetohet në asnjë mënyrë sepse fillimisht këta e lënë kujdestarinë e shkojnë punojnë privat ne e dimë sepse këtu punojmë. Pse t’i interesojë kjo atij, mjekut, kur dëshiron t’i rregullojë interesat e veta edhe pse asnjë punë nuk mund ta bëjë pa teknik. Mund të them që 2 mijë nënshkrime janë dërguar në drejtorinë e QKUK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe është kërkuar kthimi i kujdestarive. Unë nuk po them që mos tua rrisin kujdestarinë mjekëve por jo me na  heq neve e më ja qit atyre.”

Ushtruesi i detyrës së ekzekutivit të QKUK-së, Lulëzim Emini, thotë se nuk ka lëshuar asnjë vendim lidhur me zbritjen apo ngritjen e kujdestarive.

Emini tha se ka urdhëruar zbatimin e ligjit të punës.

“Nëse ne e zbatojmë ligjin dhe prej aty luftojmë për ngritje pagash, ajo është diçka tjetër. Nuk duhet kuptuar si ngritje apo ulje e kujdestarive. Infermieret nuk kujdestarojnë, ato kanë punë të ditës dhe të natës që dallon. Kujdestari ka mjeku që rrinë 24 orë, infermierja punon 12 orë ditën dhe 12 orë natën dhe shërbimi i financave e bënë llogaritjen komfor ligjit për orë  pune sa bënë brenda vitit”, ka thënë Emini.

Ndërkaq në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se janë në dijeni për shqetësime të ndryshme që kanë të bëjnë më pagesat e kujdestarive dhe pagat në QKUK. Zëdhënësi Faik Hoti tha se kjo  çështje do të trajtohet me zyrtarë të QKU-së dhe do të arrihet një zgjidhje që nuk bën diskriminim ndërmjet niveleve të punonjësve shëndetësor. Me ligjin e punës, orët e punës ndërmjet orës 22:00 dhe 06:00 numërohen si punë nate dhe jo si kujdestari. Me këtë ligj të punësuarit i takon paga shtesë prej 30 % për punë gjatë natës mbi pagën bazë, derisa  shtesa prej 20 % në orë u takon të punësuarve që kujdestarojnë.