Lajme Shqip Tuesday, 19 April 2011 16:48

Prishtinë – Drejtues të Shoqatës së Biokimistëve Klinikë, Dega e Biokimisë dhe Instituti i Biokimisë në QKUK të Kosovës,  kanë paralajmëruar protestë për ditën e mërkurë, për shkak se studentët e Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore, pasi të kenë përfunduar degën e Biologjisë, licencohen si punëtorë shëndetësorë.

Sipas tyre, analizat biokimike, citologjike, mikrobiologjike dhe shumë të tjera që punohen në laboratorët në Kosovë, ka gjasa të bëhen edhe nga biologët. E gjithë kjo në saje të vendimit 02-63 të nxjerrë nga Qeveria e Kosovës në maj të 2010, përmes së cilit, studentëve të diplomuar në Biologji ju lejohet licencimi si punëtorë shëndetësor.

Shemsi Veseli, anëtar i kryesisë së Shoqatës së Biokimistëve Klinikë të Kosovës, ka thënë se implementimi i këtij vendimi është antiligjor, sepse sipas tij, këtyre studentë pas përfundimit të studimeve në mënyrë zyrtare iu shkruan baçelor i Biologjisë – Drejtimi Aplikativ, e jo Laborantë Klinik.

Në mënyrë ironizuese Veseli shprehet se nëse nisen nga kjo logjikë, atëherë edhe ai nuk do të jetë më mjek, por pas dhënies së pesë provimeve në drejtimin e arkitekturës, do të bëhet arkitekt.

Kryetari i shoqatës së Biokimistëve Klinik të Kosovës, Afrim Kotorri ka thënë se me këtë vendim në sistemin e laboratorëve do të futen një grup i madh i jo profesionistëve.

Ndërkaq, Hydajet Paçarizi, shef i Katedrës së Biokimisë, ka kritikuar rektoratin e Universitetit të Prishtinës për implementimin e licencimit të biologëve.