Lajme Shqip Saturday, 07 May 2011 11:22

Prishtinë – Në Kosovë përsëri ka mungesë të insulinave. Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani thotë se problemi qëndron te menagjimi i dobët, përkatësisht për shkak të vonesave të prokurimit. Pacientët që vuajnë nga sëmundja e diabetit, shpeshherë përballen me mungesë të insulinave. Njëri nga ta tha se kur mungon mbështetja nga shteti, shpenzimet janë të mëdha:

“Për muajin prill nuk ka pasur insulina. Unë i shpenzoj me shumë se 10 penkalla në muaji, të cilat, mesatarisht, e varësisht ku i blen, duhet më kushtuar dikund 6.50 euro. Do të thotë brenda muajit më shkojnë  prej 70 deri 80 euro”, tregon pacienti.

Ministri Agani arsyetohet se është duke punuar për kapërcimin e kësaj situate, por çështja nuk është e lehtë.

“Tash ne jemi në kurthen e procedurave ligjore të prokurimit dhe në anën tjetër nevojave të qytetarëve për këtë preparat. Prandaj asgjë me tepër nuk mund të ju them, por në baza ditore jam i interesuar që ky problem të tejkalohet sa më shpejt. Problemi është te planifikimi i dobët i insulinës dhe procedurat shumë të vonuara të prokurimit dhe në këtë drejtim kërkohet edhe ndryshimi i ligjit të prokurimit”, ka thënë ai.