Lajme Shqip Wednesday, 20 April 2011 14:33

Prishtinë – Shoqata e Biokimistëve Klinikë të Kosovës, mjekët specialistë dhe specializantët e biokimisë, kanë protestuar në shenjë revolte ndaj vendimit të Qeverisë dhe Rektoratit të UP-së, sipas të cilit studentët e diplomuar në FSHMN, dega biologjia aplikative, pasi të kenë përfunduar degën e Biologjisë licencohen si punëtorë shëndetësor.

Duke mbajtur në duar pankarta me mbishkrime “Biologë, gjaku i njeriut nuk është gjak bretkose”, “Stop jo profesionalizmit”, “Rektor kush do t’i punojë analizat e tuaja”, e të tjera, ata kanë filluar të ecin nga Qendra Emergjente e QKUK-së, drejt Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Shëndetësisë, Rektoratit të Universitetit të Prishtinës duke përfunduar para Fakultetit të Mjekësisë.

Sipas organizatorëve, duke mos pasur alternativë tjetër, zgjidhja ishte të dilej në rrugë.

Doktor Xhevdet Haxhidema, duke shprehur qëndrimet rreth problematikës së licencimit të laborantëve të lartë nga FSHMN-së, ka thënë se me këtë vendim po shkelet Ligji mbi shëndetësinë.

Për më tepër ai ka theksuar se këto zhvillime janë çështje të nxituara nga interesa private dhe se nuk përputhen me kritere evropiane.

Ndërkaq, kryetari i Shoqatës së Biokimistëve Klinikë të Kosovës, Afrim Kotorri, pas takimit me ministrin e Shëndetësisë, Ferid Agani, tha se ministri duke qenë i njoftuar me problemin e tyre ka thënë se në qoftë se ata studentë kanë certifikatat e tyre nga Fakulteti i Mjekësisë atëherë MSH-së është e pa aftë, duhet t’i licencojë si laborant të lartë të diplomuar.

Duke mos marrë një përgjigje konkrete nga MSH-së, protestuesit kanë vazhduar rrugën e tyre drejt Rektoratit të UP-së, ku pas insistimit të protestuesve ata janë pritur nga rektori i UP-së, Mujë Rugova, si dhe prorektori për çështje mësimore, Bajram Berisha. Por as në UP nuk morën ndonjë përgjigje të kënaqshme.

Sipas dr. Valdete Haxhibeqiri, sjellja e rektorit Mujë Rugova ishte skandaloze.

Protestuesit më pas kanë vazhduar protestën e tyre drejt Dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë së UP-së. Protesta ka përfunduar e qetë dhe pa eksese.