Lajme Shqip Tuesday, 19 April 2011 13:32

Tiranë – Ardhja e stinës së pranverës, me ngrohjen e motit, ka shtuar dhe virozat stinore, sidomos tek fëmijët, por edhe simptomat e prekjes nga alergjia.

“Në kushtet e temperaturave relativisht të ngrohta, por të luhatshme, dhe me lulëzimin e pemëve, qytetarët duhet të bëjnë kujdes me ndikimin e tyre në organizëm”, thonë mjekët, sipas të cilëve, fëmijët dhe të moshuarit duhet të tregojnë më tepër kujdes. Ndërkohë, sipas mjekëve, lulëzimi i luleve rikthen dhe simptomat alergjike.

“Stina e pranverës është e paqëndrueshme nga temperaturat dhe fëmijët janë të predispozuar për t’u ftohur e për të marrë infeksione më të shpeshta”, thonë mjekët pediatër. Sipas tyre, më të prekur janë fëmijët në kopshte e çerdhe, për shkak të qarkullimit të virozave gripale.

“Numri i infeksioneve të rrugëve respiratore të ndikuara nga virozat stinore, ose dhe nga fenomenet alergjike, spazike, apo dhe të rrugëve respiratore, është rritur, nga të cilat më të shpeshta janë sëmundjet e rrugëve respiratore të sipërme”, thonë mjekët pediatër.

Ndërkohë, mjekët këshillojnë që prindërit duhet të tregojnë kujdes me fëmijët për t’i ruajtuar ata nga virozat stinore. Fëmijët, shprehen mjekët, “kanë nevojë të dalin në ambiente të jashtme, pasi duhet të ambientohen me stinën dhe me kushtet jashtë, me temperaturën, etj”. Sa u takon ambienteve të brendshme, ato duhet të ajrosen e të mbahen në temperatura jo me shumë diferencë me ambientin jashtë. Ndërsa, në rast të shfaqjes së simptomave gripale, mjekët thonë se duhet të drejtohen te mjeku pediatër për të marrë ndihmën e duhur mjekësore.

Numri i personave që shfaqin simptoma të virozave stinore, sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, arrin në rreth 12 000, shumica e te cileve janë raste me infeksione respiratore (të sipërme dhe të poshtme). Megjithatë, ky trend konsiderohet i qëndrueshëm, brenda aktivitetit normal sezonal.