Lajme Shqip Monday, 04 April 2011 12:30

Elbasan – Personat me aftësi të kufizuar do të vazhdojnë të jenë një ndër prioritetet kryesore të Bashkisë së Elbasanit.

Kështu ka deklaruar kryetari i bashkisë, Qazim Sejdini, gjatë një takimi në kuadër të javës sensibilizuese të integrimit të grupeve me dhe pa aftësi të kufizuar në fusha të ndryshme.

Qëllimi i këtij aktiviteti organizuar nga Fondacioni Vodafon Albania, si edhe British Council në bashkëpunim me shoqatën ” Ndihmonë Jetë”, ishte për rolin pozitiv që personat me aftësi të kufizuar kanë në shoqëri dhe ka për qëllim të inkurajojë dhe ndryshojë perceptimet për aftësinë e kufizuar në Shqipëri.

Kreu i bashkisë, Sejdini, ndër të tjera ka deklaruar se, “ne kemi detyrime jo vetëm ligjore por edhe morale ndaj personave me aftësi të kufizuar dhe në këtë kuadër në planin e zhvillimit strategjik të qytetit një kapitull i veçantë i kushtohet kësaj pjese të rëndësishme të shoqërisë”.