Lajme Shqip Wednesday, 04 May 2011 13:09

Shkup – Maqedonia është në pritje të zgjidhjes së statusit të pensionistëve të cilët kanë punuar në Kosovë.

Siç ka bërë të ditur ministri i Punës dhe Politikës Sociale (MPPS) Xhelal Bajrami, ka gjasa që gjatë këtij muaji të nënshkruajnë marrëveshje të përkohshme me homologun kosovar Nenad Rashid, që të realizohet e drejta pensionale e kësaj kategorie qytetarësh.

Sipas Bajramit, grupet punuese të dy dikastereve, kanë harmonizuar qëndrimet lidhur me marrëveshjen për realizimin e së drejtës për pensione.

“Draft-versionet që do të përpilohen nga grupet punuese të mund t’i kalojmë sa më shpejtë në qeveritë përkatëse në Qeverinë e RM-së dhe Kosovës, me qëllim që sa më shpejtë të nënshkruajmë një marrëveshje të përkohshme ndërshtetërore mes këtyre dy shteteve.

Me këtë marrëveshje rreth 3 mijë qytetarë do ta realizojnë të drejtën e pensionit. Maqedonia nga viti 2008 bënë pagesën e pensioneve për shtetasit kosovar që kanë punuar në Maqedoni”, ka thënë Bajrami.

Ministri Bajrami, gjithashtu ka bërë të ditur se me 16 maj, për vizitë zyrtare në Maqedoni do të qëndrojë homologia e tij shqiptare Filloreta Kodra, për çka u shpreh optimist se Shqipëria e ka votuar pozitivisht këtë ide dhe ky problem mes dy shteteve do të llogaritet i zhdukur.

“Ju e dini se draft-versioni me Republikën e Shqipërisë në Qeverinë e Maqedonisë është miratuar, pra ka marrë dritë jeshile. Shpresoj se delegacioni nga Shqipëria do na vijë me lajme të mira se i njëjti ka kaluar edhe në Qeverinë e Shqipërisë dhe do mund të caktojmë një datë për nënshkrim të marrëveshjes mes dy shteteve, sepse kjo parashihet edhe në programin e ministrisë tonë që këtë vit të kemi marrëveshje edhe me Republikën e Shqipërisë”, ka thënë Bajrami.

Nga pavarësimi e deri më tani Maqedonia ka marrëveshje me të gjitha shtetet e rajonit për realizimin e së drejtës së pensionit nga qytetarët. Tani me nënshkrimin e këtyre dy marrëveshjeve Maqedonia do të ketë marrëveshje me të gjitha shtete fqinje.