Lajme Shqip Thursday, 21 July 2011 08:22

Tiranë – Në Spitalin Infektiv të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, trajtohen çdo ditë rreth 70-80 raste me simptoma të stinës. Pothuajse gjysma e këtyre rasteve i përkasin intokacioneve (helmimeve) nga ushqimet e ndryshme.

Sipas Zyrës së Shtypit në QSUT, “rreth 30 raste në ditë trajtohen përditë me helmime udhqimore pranë Spitalit Infektiv”.

Disa nga masat që mjekët rekomandojnë për shmangien e këtyre problemeve, sipas mjekëve, janë konsumimi i ujit të sigurtë, larja e vazhdueshme e duarve, ruajtja e ushqimeve në frigorifer apo në vende të freskëta, konsumim i freskët i ushqimeve sidomos atyre me përmbajtje bulmetrash, vezësh, mishi (qumështi, vezët, akulloret, majoneza, mishi i pulës, peshku i freskët, etj).

Specialitja e promocionit, Vojsava Sulçe, thotë se rastet e helmimeve ushqimore kanë ardhur në rënie, kjo për shkak të sensibilizimit të vetë personave, por edhe për shkak të forcimit të kontrolleve në subjektet tregtare të ushqimeve, restoraneteve, fast-foodeve etj, veçanërisht të tregtimit të akulloreve, konsumi i të cilave rritet në këtë stinë.

Ministria e Shëndetësisë nga ana tjetër ka ndërmarrë një inciativë me qëllim sensibilizimin e qytetarëve për mbrojtjen nga temperaturat e larta.