Lajme Shqip Wednesday, 13 April 2011 06:53

Shkup – Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë ka shpallur epidemi të fruthit të vogël – morbili. Deri më tani janë regjistruar 678 raste të të sëmurëve nga kjo sëmundje viroze bartëse ose territorialisht dy të tretat e Maqedonisë ku jeton 50 për qind e popullatës, që është shkas për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme.

Ministri i Shëndetësisë, Bujar Osmani në konferencën për shtyp të martën ka thënë se është miratuar konkluzion që të vaksinohen të gjithë personat prej gjashtë muaj deri më 40 vjeç, të cilët deri më tani nuk e kanë marrë vaksinën kundër fruthit-morbili, sidomos grupi më i ndjeshëm i fëmijëve deri në pesë vjeç, ku nuk përjashtohen pasoja fatale.

Momentalisht në Shkup janë regjistruar 424 persona të sëmurë, të hospitalizuar janë 30 pacientë me fotografi klinike të keqe, nga të cilët numri më i madh janë të moshës mes 25 deri 35 vjeçare, ndërsa pesë janë në moshë deri në një vjeçare dhe më të vogël, të cilët deri më tani nuk i janë nënshtruar vaksinimit. Nga të gjithë të sëmurit, pjesa më e madhe nuk janë të vaksinuar, një numër i vogël kanë pranuar vetëm një dozë vaksinë, që do të thotë se nuk janë komplet të mbrojtur dhe të rralla janë rastet të cilat kanë pranuar dy doza vaksinë. “Nuk duhet të krijohet frikë ose panik, sepse epidemia do të thotë adaptim i sistemit të rrethanave të caktuara të jashtëzakonshme dhe punë nën regjim të veçantë. Lëvizja e çdoditshme e qytetarëve do të vazhdojë pa kufizime. Konsideroj se është rrethanë fatlume që në vend ka përfshirje të lartë për vaksinim, pa disa përqindje pothuajse të mbulimit të tërësishëm, e kjo është me rëndësi të madhe, sepse me potencial të këtillë të bartjes, po qe se ka përfshirje të dobët do të kishin problem me dimensione shumë më të mëdha”, ka thënë Osmani, sipas të cilit duhet shumë të kihet vëmendje për shkak të gjendjes specifike dhe rritjes së vazhdueshme të personave të sëmurë.

Ai ka paralajmëruar se në mënyrë të jashtëzakonshme do të kyçen resurse njerëzore dhe materiale, do të krijohet e ashtuquajtura “shteg i shpejtë”, që do të thotë krijim i pikave të mjekëve dhe ekipeve mjekësore në qytetet ku qytetarët, të cilët kanë simptoma të morbillit do të munden t’i shfrytëzojnë shërbimet e këtyre personave mjekësorë, por do të krijohet edhe mundësi që mjekët amë të japin udhëzime të pakufizueshme për repartet infektive, pa ua llogaritur Fondi në kuotën për udhëzim. “U dha rekomandim deri te mjekët amë që në rastet kur do të kenë rast të të sëmurëve nga fruthi-morbili, me telefon të informojnë në qendrat për shëndet publik, për shkak të përcjelljes së vazhdueshme të ndryshimeve. Tash për tash rekomandohet dezinfektim dhe ajrosje, më së shumti në institucionet arsimore”, ka thënë Osmani. Ai mendon se gjeneza e përhapjes së sëmundjes është Republika e Bullgarisë, përmes Strumicës ku ndërmerren masa aktive të vaksinimit. Morbilet janë sëmundje serioze, tek e cila nuk përjashtohet mundësia e vdekjes. Ky virus mund ta sulmojë sistemin qendror nervor, ndërsa komplikimet, të cilat janë shkak për hospitalizim janë ndezje e mushkërive dhe ndezje e veshit të mesëm.