Lajme Shqip Monday, 04 April 2011 11:32

Shkup – Orientimet për t’u trajtuar në ndonjë prej spitaleve jashtë vendit, në Maqedoni, janë të ndryshme, por kur është momenti i pagesës së këtij trajtimi, qëndrimet janë gjithmonë të njëjta: pagesa kërkohet të kryhet nga Fondi për Sigurim Shëndetësor (FSSh).

Por, jo të gjitha trajtimet jashtë vendit paguhen nga Fondi. Për rastet që FSSh paguan pacientin që trajtohet jashtë vendit, atëherë lartësia e pagesës është në lartësinë 80 për qind.

Kushtet për të pasur një kthim të tillë të të hollave, janë që pacienti të jetë i siguruar dhe një Komision duhet të japë mendimin profesional që pacienti me diagnozën që ka nuk mund të trajtohet në vend. Pas ndryshimeve dhe plotësimeve në Ligjin për mbrojtje shëndetësore që është momentalisht në fuqi, të gjithë në vend janë të siguruar nga ana shëndetësore.

Për sa i përket pacientit, ai duhet të ketë një sëmundje që nuk mund të trajtohet në asnjë prej klinikave në vend dhe në bazë të kësaj diagnoze, komisioni profesional jep mendimin për trajtim jashtë vendit.

Nëse pacienti nuk shkon jashtë me këtë mendim profesional, atëherë nuk ka mundësi të kthimit të 80 për qind të të hollave të harxhuara nga trajtimi jashtë, që gjithsesi janë gjithmonë të shtrenjta.

Sipas juristit Sulejman Mehmeti udhëheqës në sektorin për sigurim shëndetësor pranë Ministrisë së shëndetësisë (MSh), rastet e ankesave apo kërkesave që vijnë në këtë sektor janë të shumta.

“Pacientët bëjnë kërkesë deri te MSh me diagnozë të parashtruar sipas udhëzimit mjekësor. Komisioni prej tetë anëtarësh thirret një ose dy herë në javë dhe për çdo pacient jep mendimin mjekësor. Një nga kushtet për kurim jashtë vendit është që pacienti të ketë kryer të gjitha kontrollimet në vend dhe të jetë dhënë mendimi prej komisionit se kjo sëmundje s’mund të shërohet në vend, ndaj vendoset të dërgohet jashtë. Nëse individi ka kontratë me FSSh atëherë pas trajtimit jashtë, pacienti mund të marrë 80 për qind të harxhimeve mjekësore. Këto të holla nuk i jep MSh”, ka thënë Mehmeti.

Ka dhe përjashtime për pagesë të pacientit për kurimin e tij jashtë vendit, si në rastet ku përfshihet ndihma e shpejtë. Në raste të aksidenteve, në raste të lindjeve të parakohshme (si pasojë e problemeve, por jo lindjet në kohë), atëherë kërkesat shqyrtohen dhe vendoset për pagesën në lartësinë e paraparë.

“Nuk ka listë të veçantë për sëmundjet që duhet të trajtohen jashtë vendit, varet nga sëmundja dhe klinika ku trajtohet i sëmuri. Nëse ajo klinikë nëpërmjet tre specialistëve të saj jep mendim konsultar për kurim jashtë vendit të pacientit, atëherë ky mendim dërgohet deri te Komisioni që përbëhet prej tetë specialistëve mjekësorë dhe dy anëtarë të brendshëm të MSh që nuk kanë të drejtë vote. Në këtë komision bëhet filtrimi i kërkesave të shumta që vijnë dhe debatohet për to, duke vendosur për pacientët që kanë të drejtë të trajtohen jashtë vendit”, ka thënë Agron Aliji bashkëpunëtor në MSh.