Lajme Shqip Monday, 04 April 2011 11:27

Kumanovë – Janë regjistruar 58 raste të reja të personave të rinj që përdorin mjete narkotike në Kumanovë. Numri më i madh i tyre janë nën moshën 18-vjeçare dhe njëherësh kjo është një tendencë e uljes së moshës, e cila nuk ka qenë edhe më parë apo nuk ka ndodhur në periudhën e mëhershme.

Shifrat zyrtare tregojnë se komuna e Kumanovës gjatë vitit të kaluar ka pasur 916 konsumatorë të mjeteve narkotike gjegjësisht të drogës, por që ky numër supozohet të jetë edhe disa herë më i madh.

Gjatë dy dekadave të fundit në Kumanovë e rrethinë, nga përdorimi i tepruar i mjeteve narkotike supozohet se jetën e kanë humbur  mbi 50 persona. Rritje më e madhe këtij numri është e të rinjve të moshës nën 18-vjeçare, gjë që brengos, duke sjellë kështu shqetësime në mesin e prindërve, por edhe personelit arsimor dhe shoqërisë në përgjithësi.

“Nga 912 persona që konsumojnë mjetet narkotike 564 janë maqedonas, 222 shqiptarë dhe 130 të kombësive të tjera. Më së shumti po përdoret heroinë, pastaj marihuanë dhe ekstaze të tjera”, ka thënë Violeta Bogdanovska, kryeshefe për  preventivë pranë SPB në Kumanovë.

Në mesin e të rinjve kumanovarë, siç bëhet e ditur nga të dhënat e repartit të neuropsikiatrisë pranë Qendrës spitalore në Kumanovë, më tepër përdoret marihuanë dhe hashash, duke mos përjashtuar edhe ekstraktet tjera. Këto mjete kryesisht përdoren nëpër ahengje dhe mbrëmje apo tubime argëtuese të të rinjve.

Në anën tjetër policia ka bërë thirrje prindërve që t’i kushtojnë vëmendje më të madhe fëmijëve të tyre, pasi ekziston rreziku që grupet të caktuara nga kureshtja të s’provojnë. Policia në bashkëpunim me shkollat vazhdimisht ka punuar në parandalimin e kësaj dukurie.

Një numër i madh i përdoruesve të mjeteve narkotike shërim kanë kërkuar dhe kërkojnë nëpër qendra tjera të Maqedonisë, vetëm e vetëm që t’i iket njohjes së tyre.

Hulumtimet tregojnë se të rinjtë kumanovarë, të preokupuar me probleme të ndryshme sociale si papunësia, kushtet e varfra ekonomike dhe mosshkollimi, sikur ndikojnë që t’i shmangen realitetit të jetës dhe të përdorin mjete narkotike. Dhe, në mungesë të një aktiviteti më të dendur dhe më të përafërt me dëmin e mjeteve narkotike si dhe nga naiviteti nuk mund të kontrollojnë veten, “prej nga më vonë vështirë të dilet nga ai rreth”.