Lajme Shqip Monday, 04 April 2011 17:16

Kukës –  Sot në ditën ndërkombëtare të ndërgjegjësimit  dhe asistencës së veprimit ndaj minave, në qytetin e Kukësit u ëel ekspozita fotografike me punën e deritanishme për t’u ardhur në ndihmë personave të gjymtuar nga minat. 
Minimi i verilindjes (kufiri Shqipëri – Kosovë) 121 kilometra  i gjatë nisi në marsin e vitit ’99 kur ushtria e paramilitarët serbë në përpjekje për  t’iu kundërpërgjigjur bombardimeve të NATO-s dhe për të parandaluar ndihmëm ndaj UCK-së, minuan në të gjithë gjatësinë kufirin, bile hodhi  edhe  mina kasetë brenda kufirit deri në një thellësi rreth 20 kilometra, sic ndodhi në fshatin Kolsh, rreth 10 kilometra larg qytetit të Kukësit.
Këto pasoja vazhdojnë ende t’i përjetojnë banorët e kësaj zone, ndonëse tashmë ka përfunduar procesi i cminimit që nisi menjëherë pas 12 qershorit të vitit ’99 kur përfundoi konflikti në Kosovë. 
Pasojat e deminimit të një sipërfaqeje të gjerë ishin mjaft të rënda. Pas 12 qershorit  të vitit 1999 kanë humbur jetën duke rënë në zonat e minuara 34 persona, mes tyre fëmijë e gra, ndërsa 238 të tjerë kanë mbetur të gjymtuar. 
Një prej të gjymtuarve është Gazmend  Dida nga fshati Përbreg i rrethit të Kukësit. Ai ka ardhur të shohë ekspozitën, por edhe të takohet me bashkëvuajtës e drejtuesit e shoqatës “Alb -Aid”, e cila prej më shumë se 10 vjetësh ka realizuar projekte në ndihmë të tyre.  
Gazmendi kujton: “Ishte korriku, kur lufta  në Kosovë sapo kishte mbaruar. Shkova një ditë në bjeshkë, në malin e Koretnikut për të kullotur bagëtinë. Shumë afër kufirit kam qenë. Ishin hapur edhe fjalë se kush gjen mina paguhej. Kam qenë me 3 fëmijë të fshatit dhe një të moshuar nga fshati Bardhoc.  Befas kemi dëgjuar plasjet e minave. Jam goditur në këmbë e në fytyrë, ndërsa fëmijët shpëtuan për mrekulli, ndonëse pasojat i kemi ende të rënda.  Por, ka shoqata që na ndihmojnë për të përballuar vështirësitë e jetës.  Ato mbajnë lidhje të vazhdueshme me ne.  Kështu kam kryer edhe dy kurse në Prizren”.
Gazmendi kujton edhe vitin 1977. Kur ndërsa po luanin fëmijët e fshatit me top  ranë në një minë të luftës së dytë botërore. 3 fëmijë u plagosën, por shpëtuan famirësisht, ndonëse qëndruan disa muaj në spital në Tiranë. 
Neritan Muja, përfaqësues i shoqatës “Alb – Ald’ u qëndron gjithnjë pranë të gjymtuarve. “Shoqata ka operuar vazhdimisht në këtë zonë për  t’u ardhur në ndihmë përsonave të gjymtuar, apo familjeve të viktimave të minave”, thotë Muja. Sipas tij, kjo ditë është për t’u kujtuar nga të gjithë e jo vetëm nga ata që e kanë pësuar nga minat dhe armët. 
Në ditën e sotme mesazhi është se  edhe pse procesi i cminimit ka përfunduar kujdesi  nuk duhet harruar.

Ky është mesazhi që sot përcillet në mbarë globin, ku rreziku nga minat është ende i ndjeshëm.