Lajme Shqip Thursday, 05 May 2011 15:36

Prishtinë – Ministri kosovar i Shëndetësisë, Ferid Agani, është zotuar se ministria që ai drejton do t’i qaset në mënyrë sistematike ballafaqimit me sëmundjen e kancerit dhe në këtë aspekt do të fillojë përpilimi i strategjisë për ballafaqimin me këtë sëmundje.

Ai tha se lufta e deritanishme kundër kancerit ka qenë e fragmentuar për shkak të mungesës së resurseve financiare dhe humane profesionale.

Elvis Ahmeti, koordinatori Kombëtar për Zhvillimin e Programit kundër Kancerit, ka thënë se Kosova është pjesë e një granti të SHBA-ve për zhvillimin e regjistrit të kancerit.

Besim Sllamniku, kryetar i Shoqatës së Onkologëve të Kosovës, ka bërë të ditur se kjo shoqatë tashmë është bërë anëtare e Asociacionit Mediteran të Onkologëve dhe bashkë me MSH-në do të ndihmojë në hartimin e regjistrit dhe strategjisë kundër kancerit.

Ai ka paralajmëruar se më 2012 në Kosovë do të mbahet Kongresi i tretë ndërkombëtar kundër kancerit.