Lajme Shqip Tuesday, 19 April 2011 16:23

Prishtinë – “Parandalimi dhe luftimi i abuzimeve me substanca narkotike” është synim i projektit ligjërues në institucionet shkollore nga Policia e Kosovës, që mbahet në partneritet me institucionet tjera të Republikës së Kosovës.

Në kuadër të urdhrit operativ të hartuar nga Departamenti për Siguri Publike, Policia e Kosovës, sektori i hetimeve kundër narkotikëve, në bashkëveprim me Drejtoritë Komunale të Arsimit, Drejtoritë për Shëndetësi dhe Mirëqenie, kanë filluar së zbatuari projektin e vetëdijesimit të rinjve nga abuzimi me substanca me efekt psiko-aktiv, droga.

Projekti i hartuar në nivel nacional, bazohet në prioritetet e dala nga strategjia kombëtare e Republikës së Kosovës kundër drogës 2009-2012, me qëllim të parandalimit dhe vetëdijesimit të rinjve me efektet negative të përdorimit të substancave narkotike, ka filluar së zbatuari një javë më parë përmes bashkërendimit të ligjëratave në shkolla të mesme të rajonit të Mitrovicës.

Policia e Kosovës, i është qasur kësaj strategjie në dy aspekte; aspekti operacional dhe aspekti edukativ, ndërsa kërkohet harmonizimi i veprimeve ndërinstitucionale me qëllim të përmbushjes së aktiviteteve të parapara në kuadër të programit ligjërues në institucionet shkollore.

Ligjëratat e planifikuara në institucionet shkollore konsiderohet se do të arrijnë efektin edukativ në vetëdijesimin dhe ndërgjegjësimin e të rinjve me efektet dhe pasojat që shkaktohen nga përdorimi i substancave narkotike.

Sipas zëdhënësit të policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, ligjëratat edukative për efektet e përdorimit të substancave narkotike do të vazhdojnë edhe gjatë kësaj jave në shkollat e mesme të rajonit të Mitrovicës.