Lajme Shqip Friday, 08 April 2011 15:16

Prishtinë – Edhe pensionistët kërkojnë rritjen e pensioneve dhe përmirësimin e gjendjes së tyre. Pas rritjes së pagave në shërbimin civil deri në 50 për qind, pensionistët kërkojnë nga institucionet që pensioni mesatar të jetë të paktën 60 për qind i vlerës së pagës mesatare. Nëse deri në fund të muajit institucionet nuk e realizojnë këtë, ata kanë paralajmëruar protesta.

Komentet u bënë në një konferencë për media në Prishtinë.

Pensionistët kosovarë shprehën sot pakënaqësinë dhe shqetësimin për gjendjen e tyre të vështirë ekonomike e sociale. Pas rritjes së pagave në sektorin publik deri në 50 për qind, edhe ata kërkojnë nga institucionet vendore rritjen e pensioneve, që sipas tyre janë më të voglat në rajon.

Kryetari i Partisë së Pensionistëve, Sahit Dragaj, tha se gjatë muajit të kaluar ua kanë drejtuar disa kërkesa institucioneve vendore, me qëllim të përmirësimit të gjendjes së pensionistëve.

Hamdi Tasholli, nga Organizata e invalidëve të punës, tha se pensionistët deri tani janë diskriminuar, sidomos ata invalidorë, të cilët nuk përfitojnë asgjë pa mbushur moshën 65 vjec.

Janë rreth 170 mijë pensionistë në Kosovë, të cilët marrin pensione bazë 45 euro në muaj, respektivisht në bazë të kontributit 85 euro. Ndërkohë, zyrtarë të ministrisë së punës thanë se pas hyrjes në fuqi të ligjit për skemat sociale të financuara nga shteti, që është në procedim, parashihet një rritje e pensioneve bazë në 50 euro, respektivisht të kontributit në 101 euro.