Lajme Shqip Tuesday, 12 April 2011 10:53

Prishtinë – Kosova vazhdon të përballet me gjendje të rëndë ekonomike e sociale dhe nivel të lartë të varfërisë së skajshme.

Ndonëse institucionet sivjet kanë ndarë mbi 200 milionë euro për skemat sociale, nevojat e popullatës janë shumë më të mëdha.  Mbi 200 milionë euro sivjet i janë ndarë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale nga buxheti i përgjithshëm.

Kjo është shumë e konsiderueshme, por nevojat e popullatës së përfshirë në skemat sociale janë shumë më të mëdha, tha kryetari i Qendrës për të Drejtat e Njeriut në UP, Valon Murati.

Kosova gjatë një dekade ka krijuar një bazë të politikave sociale, që përbëhet kryesisht nga skema e ndihmës sociale, skema e pensioneve, ku përfshihen pensionet e pleqërisë dhe kontributdhënëse, pastaj pensionet e personave me aftësi të kufizuar, pensionet e Trepçës dhe të TMK-së.

Rreth 35 mijë familje me 155 mijë anëtarë përfitojnë ndihmë sociale, mesatarisht 67 euro në muaj.

Muhamet Gjocaj, nga MPMS, tha se numri i tyre është zvogëluar si rezultat i kontrolleve më të rrepta të autoriteteve, pasi ka pasur raste të mashtrimeve, sidomos sa i përket dokumentimit të invaliditetit.

Në bazë të vlerësimeve të FMN-së dhe Bankës Botërore, niveli i varfërisë së skajshme në Kosovë është rreth 16 për qind, kurse niveli i varfërisë rreth 45 për qind.