Lajme Shqip Friday, 22 April 2011 11:17

Tiranë – Prokurorja e Pergjithshme, Ina Rama, kerkoi sot marrjen e masave ligjore për një luftë efikase kundër dhunës në familje.

Në një konferencë për luftën ndaj dhunës në familje, organizuar sot në Tiranë, Kryeprokurorja Rama e konsideroi këtë formë dhune, si një dhunë ndaj të drejtave të njeriut. “Eshtë detyrë e institucioneve që  të reagojnë në mënyrë të menjëhershme dhe të marrin masa për t’u përballur me dhunën në familje për të parandaluar përsëritjen e saj në rastet kur është shfaqur”, tha Rama.

Sipas saj, qëllimi i këtyre veprimeve duhet të jetë garantimi dhe mbrojtja e te drejtave te grave.

Prokurorja e Pergjithshme, Ina Rama, vlerësoi ligjin për luftën ndaj dhunës në familje, miratuar në parlament pak vite më parë, por shtoi se ende mbetet punë e madhe per t’u bërë.

Kryeprokurorja Ina Rama shtroi nevojën për marrjen e masave  ligjore per dhunen në familje.  “Një ndër hapat që duhet të merret është që dhuna në familje duhet të konsiderohet  si një vepër penale më vete. Legjislacioni nuk e ka parashikuar atë si vepër penale më vete, theksoi ajo.

Ne kete kuader, ajo theksoi se, “të gjitha format e dhunes ndaj grave duhet të jenë të parashikuara në ligj si një formë e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe si një vepër penale,  ku të gjitha aktet e dhunës në familje të hetohen dhe  ndëshkohen ne bazë të rrezikshmërisë së tyre”.

I pranishem ne kete konference, ambasadori amerikan ne Shqiperi, Aleksander Arvizu, tha se “në Shqipëri, të flasësh për dhunën në familje mbetet ende një tabu. E rëndësishme është që kjo temë të dalë haptaz në publik dhe të flitet për të”, theksoi ai. Ambasadori Arvizu theksoi rendesine e nje angazhimi me te madh ne luften kunder dhunes ne familje. “Dhuna ndaj gruas nuk është një cështje që i përket vetëm një institucioni,  por e shumë institucioneve. Të gjithe sektorët e shoqërisë duhet të përfshihen dhe gjithësecili prej nesh duhet të japë kontributin vet në këtë cështje”, tha ambasadori Aleksander Arvizu.