Lajme Shqip Wednesday, 06 April 2011 07:03

Tiranë – Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Prof. Dr. Bamir Topi ndoqi mbrëmë në Teatrin e Akademisë së Arteve shfaqjen e “Dans teater” të kompanisë Britanike “Stop Gap”, në të cilën kërcyen persona me aftësi të kufizuar, por dhe mjaft të talentuar.

Shfaqja ishte në kuadër të promovimit të “Javës gjithëpërfshirëse”, organizuar nga “Këshilli Britanik”, Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar me mbështetjen e Fondacionit “Vodafone Albania” dhe ishin të pranishëm zv/ministrja e Turizmit, Suzana Turku, Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar, Fiona Mekiluam, përfaqësues të shoqërisë civile, medias, bashkësisë ndërkombëtare, institucioneve, persona me aftësi të kufizuara, familjarët e tyre, etj, të cilët mbështesin  rolin pozitiv që luajnë personat me aftësi të kufizuara në shoqëri dhe rëndësinë që kanë mundësitë dhe shanset e barabarta për këtë shtresë të shoqërisë.

Presidenti e përshëndeti këtë veprimtari të veçantë artistike, duke vlerësuar aktivitetin që, sipas tij, “tashmë është bërë një traditë në Shqipëri”.

Duke vlerësuar emërtimin e javës si ‘Javë e gjithëpërfshirjes’, Topi çmoi Lojërat Olimpike Speciale, ku të pranishëm, jo thjesht për të qenë prezent, por si kontribues të drejtpërdrejtë, kanë qenë Ambasada e Britanisë së Madhe, Këshilli Britanik, Fondacioni ‘Vodafone Albania’ dhe Komiteti Olimpik Shqiptar.

Ai falenderoi Këshillin Britanik, që prej vitesh ushtron veprimtari në Shqipëri dhe që “ka futur me shumë dashuri dhe profesionalizëm elementë të ndjeshmërisë qytetare për ta bërë Shqipërinë dhe shoqërinë edhe më të ndjeshme që të sintonizohet me të gjithë ata tregues që ka shoqëria bashkëkohore evropiane, aty ku Shqipëria tenton të aderojë së shpejti”.

Duke konsideruar se “gjithëpërfshirja është motivim”, Topi kërkoi që edhe brezat e rinj të edukohen me këtë filozofi.

“Ne sonte do të kemi rastin që të ndjekim një veprimtari që padyshim do të jetë shumë e bukur, e grupit britanik ‘Stop Gap’, i cili në vetvete duke e ushtruar pikërisht këtë filozofi dhe botëkuptim do të na japë shansin që të shohim drejtpërdrejt se sa pa paragjykim dhe sa me profesionalizëm do të luajnë së bashku”, tha Topi.

Ai cmoi dhjetra shembuj se si njerëz me aftësi të kufizuar kanë arritur që të bëhen kampionë olimpikë. “Kjo do të thotë që asgjë në këtë botë nuk është e pamundur. E rëndësishme është që të marrësh pjesë, të jesh gjithëpërfshirës dhe atëhere ti je kampioni i vërtetë olimpik”, tha Topi.

Ndërsa pranoi se Shqipëria ka një legjislacion modern përsa i përket të drejtës së çdo individi për të mos qenë i diskriminuar, Kreu i Shtetit Bamir Topi u shpreh se “nëse në letër ne vërtet e kemi shansin që të jemi të përsosur, të huazojmë legjislacionin modern të kohës, në veprimet konkrete të zbatimit të ligjit nuk jemi të përsosur”.

Ai kërkoi që të gjithë së bashku “të punojmë për të qenë gjithëpërfshirës, të motivuar për të inkurajuar të gjitha institucionet, për të inkurajuar shoqërinë se jetojmë të gjithë në një shoqëri të hapur, por edhe në një shoqëri të ndjeshme”.

Me këtë rast, Presidenti Topi kërkoi nga njerëzit që merren me politikë që të bëhen më të ndjeshëm.

“Të gjithë ata, të cilët merren me politikë, ata që merren me punë të mira nëpër institucione, por sidomos ata që në të ardhmen do të merren me politikë, t’i bëjnë mirë llogaritë e të mos futen në politikë në rast se nuk janë të ndjeshëm”, tha Topi.