Lajme Shqip Friday, 22 April 2011 08:09

Gjenevë – Organizata botërore e shëndetësisë (OBSH) sot u rekomandoi qeverivë në botë të bëjnë imunizimin kundër fruthit (morbileve) pas rasteve të shpeshta të paraqitjes së kësaj sëmundjeje në 33 vende evropiane.

Në kumtesën e organizatës botërore të KB-së theksohet se vendet në botë duhet të injektojnë dy doza vaksina për fëmijë dhe minimum një dozë për të rriturit para se të udhëtojnë jashtë vendit.

Sipas të dhënave të OBSH-së nga fillimi i vitit në Evropë janë regjistruar 6.500 raste të morbileve, të cilat manifestohen me temperaturë të lartë, ndezje në mukozën e gojës dhe puçrra nëpër trup. Më e rrezikuara është Franca, ku nga janari deri në mars ka pasur 4.900 të prekur. Rreth 400 raste janë regjistruar në Maqedoni, 300 në Serbi, 131 në Bullgari, 100 në Belgjikë dhe 80 në Turqi.

Sivjet në mënyrë drastike janë rritur rastet e të prekurve nga morbilet në Gjermani, Britaninë e Madhe, Norvegji, Rumani, Holandë dhe Zvicër.