Lajme Shqip Friday, 29 April 2011 14:14

Prishtinë – Sindikata e Pavarur e Postë-Telekomit të Kosovës ka marrë mbështetjen e Federatës Sindikale të Punonjësve të Postë-Telekomunikacioneve të Shqipërisë, kundër privatizimit të shpejtë të PTK-së.

Drejtuesit e sindikatës nga Shqipëria kanë vlerësuar se PTK-ja është një bankë e vërtetë në Kosovë dhe për atë duhet të trajtohet me kujdes.

Të dy kanë shprehur shqetësimin që strategjia për shitjen e PTK-së u votua në Kuvendin e Kosovës së bashku me Ligjin për buxhetin 2011.

Kryetari i SPPTK-së, Milazim Alshiqi ka thënë se pas protestës së fundit, kjo sindikatë është duke i ndjekur rrugët ligjore, sepse siç ka thënë ai futja e nenit 4 për miratim të buxhetit është shkelje dhe me këtë nen kontrabandohet ligji për privatizim.

Ai ka shtuar se tani kjo sindikatë është duke i ndjekur rrugët ligjore, duke pritur një përgjigje nga Gjykata Supreme, për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Nga ana tjetër, Ylli Ballta president i Federatës Sindikale të Punonjësve të Post-Telekomunikacioneve në Shqipëri, ka thënë se në asnjë vend të botës, nuk ndodh që të privatizohet një ekonomi rentabël pa rregulla loje dhe pa ligje për privatizimin.

Ballta ka shtuar se pasi që kjo është ndërmarrja më fitimprurëse duhet edhe t’i kushtohet kujdes më i madh.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës në tetor të vitit të kaluar ka miratuar strategjinë e Qeverisë për privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës, kurse në mars të këtij viti ka miratuar buxhetin për 2011, ku parashihet edhe shitja e PTK-së.

Miratimi në pako i buxhetit me shitjen e PTK-së nga opozita u cilësua si jo ligjore dhe jo kushtetuese, ndërkohë që ka pasur edhe protesta të punëtorëve të postës.