Lajme Shqip Saturday, 30 April 2011 16:36

Elbasan – Shoqata Humanitare Kombëtare “Dora e Ngrohtë” me qendër në Tepelenë, është ndalur sot në Elbasan për të dhuruar motorë për personat me aftësi të kufizuara.

Presidenti i shoqatës, Gjon Dervishi, tha se “në vazhdën e ndihmave që shpërndajmë në qytete të ndryshme të Shqipërisë për personat me aftësi të kufizuara, jemi ndalur në Elbasan, ku do të dhurojmë dy motora. Motorat i janë dhuruar 17 vjeçarit nga Elbasanit, Gramoz Seiti, i cili që në moshën 8 vjeçare është paralizuar dhe mund të lëvizë vetëm me karocë, si edhe 62 vjeçarit nga Librazhdi Qemal Poçi, i cili si pasojë e sëmundjes së diabetit ka humbur të dyja këmbët”.

Pasi kanë falenderuar shoqatën Humanitare “Dora e Ngrohtë” si edhe presidentin e saj Gjon Dervishi, dy personat me aftësi të kufizuara tashmë do të kenë mundësi të shëtisin pa praninë e një ndihmësi, me motorat e tyre.

Sipas Dervishit, “shoqata në bashkëpunim me Ministrinë e Punës, Cështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta do të vazhdojë edhe në të ardhmen të dhurojë mjete të tilla lëvizëse për personat me aftësi të kufizuara”.

Shoqata humanitare kombëtare “Dora e Ngrohtë” është krijuar 15 vjet më parë dhe prej tre vjetësh ka hapur edhe një qendër ditore për këta persona. Qendra financohet nga donatorë të huaj, kryesisht nga Holanda, si edhe nga biznesmeni Rezart Taçi.

“Të gjithë këtë humanizëm e bëj në kujtim të nipi tim, i cili që në moshë të vogël u paralizua dhe në moshën 35 vjeçare gjeti vdekjen”, thotë Gjon Dervishi, i cili në ditët në vijim do të ndalet në qytetin e Pogradecit dhe Korçës për të shpërndarë ndihma të tjera për këta persona.