Lajme Shqip Friday, 15 April 2011 12:39

Durrës – Instituti i Riedukimit në Durrës, në bashkëpunim me piktorin e njohur durrsak, Besnik Biduli, mundësoi çeljen e një ekspozite pikturash brenda ambienteve të burgut për 264 persona me liri të kufizuar. Përmes pikturës, artisti i njohur Besnik Biduli kërkon t’u komunikojë personave të cilëve iu është kufizuar liria mendimet dhe idetë, por edhe pamjet të natyrës së jashtme, e cila iu mungon atyre, me qëllim për t’ua lehtësuar periudhën e kryerjes së dënimit.

Dejtori i Burgut, Abdulla Duka, duke e vlerësuar si shumë të rëndësishëm organizimin e këtyre aktiviteteve, tha se projekte të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen.

Personat që vuajnë dënimin në Durrës e vlerësuan hapjen e ekspozitës brenda ambienteve të burgut, ku, sipas tyre, i ndihmon ato për të hequr vëmendjen nga realiteti në të cilin ndodhen.

Ekspozita e pikturave me temë natyrën nga Thethi deri në Voskopojë, do të qëndrojë e hapur gjatë gjithë ditës, ku do të vizitohet nga të burgosurit, të cilët vuajnë dënimin në Durrës.