Lajme Shqip Monday, 18 April 2011 07:03

Durrës – Enti Kombëtar i Banesave nisi dje shpërndarjen e kontratave të privatizimit për 145 familjet që banojnë te pallatet e adoptuara në magazinat e ish-Agroeksportit në Shkozet.

Kandidati i koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Ferdinand Xhaferaj, gjatë një takimi në këtë lagje tha se “në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave, banorët do të përfitojnë, brenda pak ditësh, çertifikatat e pronësisë.”

Ai shtoi se “kjo ishte detyrë e Bashkisë, por kryebashkiaku Dako nuk u interesua kurrë për ta zgjidhur këtë problem”. Ndërkohë, Xhaferaj tha se “brenda vitit, të gjithë qytetarët e Durrësit do të kenë mundësi të hipotekojnë shtëpitë e tyre.”

Deputeti Eduart Halimi, i cili shoqëronte kandidatin demokrat për kreun e bashkisë, tha se “tani është koha për të mbyllur një punë të gjatë dyvjeçare për banorët që janë vendosur në tre pallatet e restauruara gati 10 vjet më parë.”

Kandidati demokrat Xhaferaj paraqiti për banorët edhe projektin e tij të ndërhyrjeve për rehabilitimin e infrastrukturës në lagjen periferike nr 14. E gjithë zona ku gjenden godinat e apartamenteve do të kenë investimet e nevojshme si, rrjeti i kanalizimeve, ujësjellësi, rikonstruksioni i rrugëve dhe trotuareve, gjelbërimi i hapësirave të lira.

“Unë ju premtoj se, jo vetëm ju këtu, por të gjithë banorët e Durrësit, brenda vitit nuk do të kenë më shtëpi të pahipotekuara”, tha Xhaferaj.

Hipotekimi i banesave është një problem që prek mjaft njerëz, pasi proçedura zgjat në kohë pasi kërkon dokumentacion të hollësishëm, por Xhaferaj premtoi se do të ndihmonte që të lehtësonte dhe të përshpejtonte proçedurat.

Së bashku me deputetin Eduard Halimi dhe drejtuesit e Entit Kombëtar të Banesave, kandidati demokrat Xhaferaj kreu shpërndarjen e disa prej kontratave të privatizimit, të shoqëruara këto edhe me kopje të vendimit të Këshillit të Ministrave që sanksiononte këtë veprim. Proçesi i shpërndarjes së kontratave të privatizimit do të vazhdojë për mbi 700 familje të tjera në Plazh, Shkozet dhe në Currila, të cilat janë strehuar prej mëse 20 vitesh në godina në pronësi të shtetit.