Lajme Shqip Saturday, 30 April 2011 10:26

Tiranë – Aktiviteti fizik është domosdoshmëri dhe nëse kryhet në mënyrë të rregullt, kthehet në mjet të rëndësishëm për përmirësimin e shëndetit në përgjithësi, fizik dhe mendor, si dhe zvogëlon shumë rrezikun për sëmundjet kronike të njerëzve.

Specialistët e promocionit në Institutin e Shëndetit Publik sjellin fakte mbi lidhjen midis aktivitetit fizik dhe shëndetit, duke sqaruar se aktiviteti fizik i rregullt ndihmon në mbajtjen e një trupi të shëndetshëm. “Personat që janë aktivë fizikisht kanë një rrezik më të ulët për sëmundje kardiovaskulare,tension të lartë gjaku, goditje në tru,diabet tip 2, kancer gjiri e zorre,osteoporozë dhe depresion. Kanë rrezik më të ulët për rrëzime dhe fraktura të ndryshme dhe për të mbajtur peshën normale si dhe kanë mundësi për të jetuar më gjatë, etj”, shprehen specialistët.

Sipas tyre, aktiviteti fizik nuk është vetëm marrja me sport. Aktivitet fizik është çdo lëvizje trupore e prodhuar nga muskujt skeletorë, që kërkon shpenzime të energjisë.

Nga ana tjetër, inaktiviteti fizik apo mosbërja e aktivitetit fizik është identifikuar si faktori i katërt i rrezikut në vdekshmërinë globale nga sëmundjet kronike kryesore si:sëmundje kardiovaskulare, disa lloj kanceresh, diabet tip 2, sëmundje mendore, sëmundje muskuloskeletike, tensioni i lartë i gjakut, obeziteti, etj. Inaktiviteti fizik është përgjejgës për 6% të të gjitha vdekjeve në botë, ndërsa në Rajonin Europian është përgjegjës për rreth 10% të të gjitha vdekjeve ose 600 000 vdekje në vit. Ndërkohë, është vlerësuar që inaktiviteti fizik shkakton 21-25% të kancerit të gjirit dhe të kolonit(zorrës), 27% të diabetit tip 2 dhe rreth 30% të sëmundjes ishemike të zemrës.

Në aktivitetin fizik intensiv përfshihen sportet e ndryshme si, futbolli, basketbolli, volejbolli, vrapimi, ecja me biçikletë me shpejtësi, ecje apo ngjitje e shpejtë në lartësi, noti i shpejtë, kalërimi, tenisi, etj. Ushtrimet janë një nëngrup i aktivitetit fizik që përfshin lëvizjet e qëllimshme dhe të përsëritura, me qëllim për të forcuar shëndetin e kockave, forcën dhe fleksibilitetin e muskujve.

Ndërkohë, për të qenë të shëndetshëm njerëzit kanë nevojë në përgjithësi për të paktën 30 minuta aktivitet fizik i moderuar në pothuajse gjithë ditët e javës ose të paktën në 5 ditë të saj.