Lajme Shqip Monday, 04 April 2011 18:09

Shkodër – Zv/ministri i Brendshëm, Avenir Peka, tha sot në Shkodër, se “viti 2010 ka qënë ndër vitet më të suksesshme në parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike” gjatë  Konferencës Rajonale për prezantimin e planit të masave dhe të planit të veprimit në shkallë kombëtare për luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike për vitin 2011

“E fillojmë me Shkodrën, për të vazhduar me rrethet e tjera, si në Vlorë, Gjirokastër, Tiranë, Durrës, për të çuar më tej luftën, e cila tashmë ka nisur nga strukturat e Ministrisë së Brendshme, Policisë së Shtetit, por edhe të pushtetit vendor, që të arrijmë objektivin që qeveria shqiptare ka përcaktuar si prioritet të saj “luftë me tolerancë zero ndaj krimit të organizuar, por dhe kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike”, u shpreh zv/ministri i Brendshëm, Avenir Peka, në takimin e organizuar sot në mjediset e bibliotekes së Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës.

Rezultatet pozitive në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike dhe krimit të organizuar, për zv/ministrin Peka kanë ndikuar pozitivisht edhe në procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Zv/ministri i Brendshëm, Avenir Peka, shprehu bindjen se “përpjekjet që po fillojmë për vitin 2011 do të jenë akoma më të suksesshme se sa arritjet e vitit të kaluar, dhe shumë shpejt besoj se Shqipëria do ta zhdukë njëherë e përgjithmonë fenomenin e kultivimit të lëndëve narkotike”.

Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, tha se suksesi i parandalimit, zbulimit dhe goditjes së këtij fenomeni “tashmë nuk është më një konstatim, por një realitet tashmë i pranuar dhe i nënvizuar nga institucionet më prestigjoze ndërkombëtare që monitorojnë dhe përpilojnë raportet për Shqipërinë”.

“Fakti që kultivimi i bimëve narkotike në vitin 2010 u ul me 80 për qind në krahasim me vitin 2009 dhe fuqia goditëse u rrit në 60 raste dhe 79 persona të proceduar penalisht, tregon më së miri vullnetin dhe vendosmërinë për tolerancë zero ndaj këtij fenomeni”, nënvizoi Burgaj.

Megjithatë,  kreu i Policisë së Shtetit,  krahas arritjeve, u ndal edhe tek ndonjë mangësi, që sipas tij, ka të bëjë kryesisht në punën sensibilizuese të efektivëve të policisë në drejtim. “Nga analiza që kemi bërë për këtë fenomen në qarkun e Shkodrës, na rezulton se në fazën sensibilizuese nuk është bërë sa dhe si duhet në drejtim të parandalimit për mbjelljen e bimëve narkotike, gjë e cila na kushtoi shumë shtrenjtë në fazën operacionale, duke aktivizuar shumë forca policie, mjete, helikopterë për të goditur këtë keqe të madhe”, u shpreh Burgaj.

Duke folur për planin e masave të marra për këtë vit, Burgaj tha se “këtë vit, ndryshe nga një vit më parë, do t’i kushtojmë një rëndësi të veçantë parandalimit të këtij fenomeni”. Për këtë ai bëri të ditur se për çdo të arrestuar për kultivimin e bimëve narkotike, përveç dënimit dhe ndëshkimit që do të marrë ai që merret me këtë fenomen, do të analizohet deri në një ai punonjës policie, i cili nuk ka marrë masat e nevojshme për parandalimin e këtij fenomeni. Po kështu, në analizë do të merren edhe personat përgjegjës të pushtetit vendor për atë zonë që bëhet fjalë, saktësoi Burgaj.

Për të pasur rezultate sa më të mira në këtë drejtim, Burgaj kërkoi një bashkëpunim edhe më të ngushtë me strukturat e pushtetit lokal, me komunitetin, drejtorinë arsimore, por edhe mediat në sensibilizimin e qytetarëve  kundër këtij fenomeni.

Burgaj garantoi një mbështetje të fuqishme nga strukturat e policisë në këtë drejtim, duke bërë të ditur se krahas monitorimit me helikopter të territorit  “Policia e Shtetit është në përfundim të procesit të nënshkrimit të kontratës edhe për kontrollin me satelit, që vitin e kaluar e realizua në disa zona, por tani do ta bëjmë të mundur në të gjithë Shqipërinë, që të mos ketë mundësi të kultivohet asnjë bimë narkotike në territorin shqiptar”.