Lajme Shqip Sunday, 08 May 2011 13:43

Tiranë – Analisti dhe politikani i njohur, Preç Zogaj, e vlerësoi ditën e sotme një ditë të rëndësishme për të gjithë shqiptarët dhe një gur prove për demokracinë në vend.

“Qytetarët shqiptarë e njohin mirë rëndësinë e votës dhe e dinë mirë se si duhet të sillen në këtë ditë, por problemet si gjithmonë për mua, janë problemet e fushatës dhe ato të bilancit të votuesve, problemet me listat, votuesit fiktivë, për shkak të numrit jo të vogël të shqiptarëve që janë emigrantë, apo të tjera probleme, të cilat shpresoj që në këtë ditë si kjo e sotmja, të mos ketë”, tha Zogaj.

Zogaj tha se i gjithë publiku e ka të qartë rëndësinë e kësaj dite prove, pasi jo rastësisht në këtë ditë ka një numër shumë të madh vëzhguesish nga Europa dhe SHBA, të cilët i kanë kthyer sytë nga Shqipëria dhe presin që shqiptarët ta kalojnë këtë gur prove për demokracinë në Shqipëri.

Për Zogajn, çdo incident i mundshëm në qendrat e votimit do të ketë një ndikim negativ në këto zgjedhje, të cilat po vëzhgohen masivisht në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe askush prej komisionerëve nuk ka të drejtë ta shkelë atë.