Lajme Shqip Wednesday, 11 May 2011 18:37

Tiranë – Presidenti Bamir Topi u kërkoi sot publikisht partive politike dhe përfaqësuesve të tyre zgjedhorë, si dhe institucioneve ligjore të përfshira në proces, që me transparencë, shpejtësi dhe përgjegjësi të përmbyllin procesin e administrimit të votave.

Zyra e shtypit e Presidencës bëri të ditur se kreu i shtetit i është përgjigjur interesit të mediave lidhur me qëndrimin e tij ndaj zgjedhjeve të 8 majit dhe ecurinë e procesit të numërimit të votave, duke deklaruar se “8 maji ishte një ditë normale votimi e cila shënoi një progres në standardet për zgjedhje të lira dhe demokratike”.

“Me pjesëmarrjen e lartë dhe sjelljen qytetare, zgjedhësit shqiptarë dëshmuan maturi dhe ndjeshmëri për t’u dhënë të gjithë besimin dhe integritetin e nevojshëm procesit zgjedhor. Qytetarët e thanë fjalën e tyre, e shprehën vullnetin e tyre, bënë zgjedhjet më të mira për ta”, shprehet Topi.

Sipas tij, tani është përgjegjësia politike e administrimit bipartiak të zgjedhjeve, që të dëshmojë vullnet të qartë politik për të respektuar votën qytetare.

“Çdo vonesë, pengesë apo alibi për të zgjatur mbylljen e procesit të numërimit tërësor të votave është e dëmshme për integritetin e procesit dhe frymën kushtetuese të shprehjes së sovranitetit të popullit”, përfundoi Presidenti Bamir Topi në përgjigje të interesit të mediave.