Lajme Shqip Wednesday, 27 April 2011 11:54

Tiranë – Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë (KVV) tërheqë vëmendjen për mosrealizimin në kohë dhe sipas kërkesave ligjore të disa elementëve thelbësorë në garantimin e procesit zgjedhor, që kanë të bëjnë me administrimin e drejtëpërdrejtë të procesit dhe votës së qytetarëve.

Në një deklaratë për shtyp të KVV-së shprehet shqetësim për mosngritjen ende të komisioneve të qendrave të votimit, afati i fundit për të cilën ishte data 18 Prill.

KVV vëren se asnjë nga partitë politike nuk e ka respektuar në mënyrë të plotë afatin e 23 marsit për depozitimin e emrave të kandidatëve për KQV-të. Pavarësisht se propozimet janë paraqitur me vonesë, ende në një pjesë të mirë të Zonave të Administrimit Zgjedhor (ZAZ) nuk janë ngritur këto komisione. “Kjo vonesë vjen nga pasaktësitë në dokumentacionin shoqërues të kandidaturave, sipas kërkesave të Kodit Zgjedhor”, thuhet në deklaratën e KVV-së.

Koalicioni i kërkon partive politike të plotësojnë urgjentisht dokumentacionin ligjor për ngritjen e Komisioneve të Qendrave të Votimit, si dhe të ndikojnë pranë përfaqësuesve të tyre në Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) për përshpejtimin e këtij procesi.

Gjithashtu, KVV i bën thirrje partive politike: PD, PS dhe LSI që të marrin masat për të  paraqitur në kohë propozimet e tyre për ngritjen e Grupeve të Numërimit të Votave, duke u kushtuar rëndësinë e duhur dhe lënë kohën e mjaftueshme për trajnimin e tyre.

KVV po ashtu i tërheq vëmendjen dhe i kërkon KQZ-së që të ushtrojë në mënyrë konsensuale dhe të plotë autoritetin e tij ndaj komisioneve të niveleve të dyta dhe të treta në përmbushje të detyrimeve ligjore që parashikohen në Kodin Zgjedhor.

Po ashtu, KQZ duhet të mbajë qëndrim ndaj kryetarëve të njësive vendore, të cilët kanë lejuar qendra votimi me më shumë se 1000 zgjedhës, në kundërshtim me kodin zgjedhor, apo kundrejt atyre, të cilët në mënyrë të panevojshme, i kanë caktuar këto qendra në ambiente private.