Lajme Shqip Friday, 06 May 2011 12:52

Tiranë – Fushata zgjedhore për zgjedhjet vendore të 8 majit mbyllet të premten në mbrëmje në të gjithë Shqipërinë, për t’i hapur rrugën ditës së votimeve të dielën, më 8 maj.

Përgjatë 30 ditëve, subjektet zgjedhorë që do të konkurojnë në votime, në takime me zgjedhësit shpalosën programet dhe alternativat e tyre për qeverisjen vendore gjatë katër viteve të ardhshëm.

Dy forcat kryesore politike, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, finalizojnë pasditen e sotme mbylljen zyrtare të fushatës elektorale me mitingje respektive, që pritet të zhvillohen në sheshin ‘Nënë Tereza’, nga PD dhe në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” nga PS.

Mbyllja e fushatës, që sipas Kodit Zgjedhor, përfundon 24 orë para datës së zgjedhjeve, ia lë vendin të shtunën heshtjes zgjedhore.

“Dita përpara datës së zgjedhjeve dhe data e zgjedhjeve, deri në orën e mbylljes së votimit, formojnë periudhën e heshtjes zgjedhore. Në periudhën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet organeve të medias, si dhe zhvillimi i mitingjeve ose i veprimtarive të tjera zgjedhore të  subjekteve zgjedhore”, thuhet në nenin 77 të Kodit Zgjedhor.

Në zgjedhjet për pushtetin lokal janë regjistruar zyrtarisht në KQZ 56 subjekte zgjedhorë, 45 prej të cilave janë grupuar në dy koalicione, një i spektrit të djathtë, “Aleanca për Qytetarin”, i cili përfshin 22 parti dhe një koalicion i spektrit të majtë “Aleanca për të Ardhmen”, që grupon 23 parti.

Në Shqipëri funksionojnë 383 njësi vendore, ndërsa 3.164.859 zgjedhës do të votojnë në 4932 qendra votimi, për 6125 vende në këshillat bashkiakë dhe komunarë.