Lajme Shqip Tuesday, 03 May 2011 12:06

Tiranë – Më datë 8 maj, qytetarët e Tiranës do të votojnë njeriun që do të drejtojë Bashkinë për katër vitet e ardhshme. E nisur me një ngarkesë të madhe politike, fushata zgjedhore gradualisht u pasurua me projekte dhe premtime që pretendojnë të përmirësojnë gjendjen e qytetit dhe jetën e qytetarëve.

Kandidati i Aleancës për të Ardhmen, Edi Rama, ka premtuar krijimin e mundësive për 200 mijë vende pune, 187 hektarë për veprimtari tregtare, 340 hektarë për zona ekonomike. Në projektet e Ramës, janë ndërtimi i 17 shkollave të reja dhe plotësimi i nevojave për kopshte dhe çerdhe; ngritja e kampusit të ri Universitar të Tufinës dhe krijimi i mundësive për zgjerimin e 4 spitaleve kryesore, i 15 poliklinikave dhe ngritjen e një spitali bashkiak. Rama premton se në katër vitet e ardhshme do të shkojë drejt përfundimit sistemi i Unazave të kryeqytetit, përfshi Unazën e Madhe si edhe do të ndërtohet linja e tramvajit.

Kandidati i Aleancës për Qytetarin, Lulzim Basha, ka premtuar hapjen e 30 mijë vendeve të reja të punës, falë rritjes së investimeve publike, zbatimit të politikave direkte për nxitjen e punësimit dhe gjallërimit të biznesit.

Për të bërë këtë, Basha premton heqjen e 60 taksave vendore dhe uljen nga 2 deri në 5 herë të taksave të mbetura. Në projektin e Bashës është edhe krijimi i Agjencisë Bashkiake të Mbrojtjes së Konsumatorit, që do të ketë detyrë parësore “inspektimin, raportimin dhe turpërimin publik te çdokujt që spekulon me çmimet në Tiranë”.

Sipas kandidatit demokrat, ulja e ngarkesës fiskale dhe mbikqyrja e rreptë e tregut do të sjellin ulje të çmimeve për konsumatorët. Për sa i takon infrastrukturës, Basha ka premtuar ndërtimin e Unazës së Madhe, të linjave të tramvajit, të parkingjeve nëntokësore dhe shtimin e sipërfaqeve të gjelbërta. Kandidati demokrat ka premtuar gjithashtu transport publik falas për të gjitha shtresat e dobëta sociale dhe sigurimin e çertifikatave të pronësisë për të gjitha pallatet e reja.