Lajme Shqip Sunday, 08 May 2011 11:36

Tiranë – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi një takim pune me Drejtorin e Përgjithshëm të ODIHR-it, Janez Lenarçiç, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë, në kuadër të monitorimit të zgjedhjeve vendore të 8 majit.

Pasi shprehu mirënjohjen për kontributin e vazhdueshëm të organizmave ndërkombëtare, Presidenti Topi vlerësoi angazhimin dhe punën e pakursyer të ODIHR-it me dërgimin e një misioni të gjerë vëzhgimi, për të ndihmuar jo vetëm në mbarëvajtjen e procesit përgatitor të zgjedhjeve të 8 majit, por edhe në realizimin me sukses të tyre. “Përfundimi i zgjedhjeve sipas rregullave ligjore e brenda standardeve demokratike, e sidomos pa incidente, mbetet me mjaft rëndësi për të ardhmen e vendit dhe të shtetasve shqiptarë, për forcimin e shtetit të së drejtës dhe konsolidimin e institucioneve shtetërore”, u shpreh Presidenti Topi gjatë takimit.

Presidenti ritheksoi rëndësinë e madhe të këtyre zgjedhjeve jo vetëm për të përcaktuar përfaqësuesit e rinj të organeve drejtuese të pushtetit vendor, por edhe për të treguar nivelin e demokratizimit të shtetit shqiptar dhe “hedhjen e një hapi vendimtar e cilësor në rrugëtimin integrues drejt Bashkimit Evropian”. Ai vlerësoi edhe punën vetmohuese të forcave të rendit dhe të institucioneve të tjera mbështetëse e kontribuese direkte në mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

Kreu i Shtetit shprehu besimin se shqiptarët do të dinë të tregojnë aftësinë dhe maturinë në realizimin e zgjedhjeve të drejta, korrekte e të ndershme.

Drejtori i Përgjithshëm i ODIHR-it, Janez Lenarçiç, vlerësoi maturinë, rolin e rëndësishëm e konstruktiv të Kreut të Shtetit shqiptar edhe gjatë gjithë këtij procesi zgjedhor.

Lenarçiç informoi për punën konkrete dhe monitorimet që do të vijojë të kryejë misioni i vëzhguesve në rang vendi dhe për raportin paraprak me të cilin ODIHR-i do të dalë në përfundim të këtyre zgjedhjeve vendore. Gjithashtu, Kreu i ODIHR-it vuri në dukje se “Kodi Zgjedhor përbën një themel të kompletuar teknik për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike, porse ajo që nevojitet më së shumti është angazhimi i partive politike për të respektuar qëllimin e ligjit”.

Drejtori i Përgjithshëm i ODIHR-it ndau të njëjtin mendim me Presidentin Topi se respekti për institucionet e shtetit, shprehja e maturisë dhe e ekuilibrit është e një rëndësie jetike për të sotmen dhe të ardhmen integruese evropiane të Shqipërisë.

Në takim ishte i pranishëm dhe Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wollfarth.