Lajme Shqip Thursday, 21 April 2011 15:13

Gjirokastër – Koalicioni “Aleanca për qytetarin” në Gjirokastër i ka kërkuar sot institucionit të akuzës rihapjen e hetimeve për tragjedinë e 9 nëntorit të vitit 2008, ku si pasojë e shembjes së një pallati 5-katësh në lagjen “11 Janari” humbën jetën 3 persona dhe mbetën të pastreha 15 familje.
“Në vijim të denoncimit të dosjes së masakrës urbane që kryetari aktual i bashkise, Bime, i ka çelur vetes gjatë shtatë viteve në drejtimin e bashkisë së Gjirokastrës, jam këtu që në emër të koalicionit “Aleanca për qytetarin”, t’i bëj apel Prokurorisë së Rrethit, të rihapë hetimet për ngjarjen e 9 nëntorit të vitit 2008″, deklaroi Mirela Mamani, zëdhënësja e kandidatit të koalicionit të djathtë “Aleanca për Qytetarin” për Bashkinë e Gjirokastrës, Genci Sinojmeri.
“Leja e ndërtimit që është dhënë nga kryetari në detyrë, Flamur Bime, ishte pesëkatësh, por, por vëllai i tij jashtë çdo kriteri shtoi tre kate të tjera, gjë që shkaktoi tragjedinë e nëntorit”, shtoi Mamani.
Ky fakt është denoncuar publikisht edhe nga nënkryetari i Parlamentit, Vangjel Tavo, një javë më parë në një nga televizionet lokale në qytetin e Gjirokastrës.