Lajme Shqip Friday, 22 April 2011 13:44

Tiranë – Bordi i Monitorimit të Medias (BMM) paraqiti të premten në KQZ raportin e dytë javor mbi pasqyrimin e fushatës zgjedhore nga mediat audio-vizive, për subjektet politike, pjesëmarrëse në zgjedhjet vendore të 8 majit.  
Sipas raportit të paraqitur nga kryetari i BMM-së, Basir Çollaku, nga monitorimet e deritanishme për periudhën 8 -19 prill, vijon prirja e disa televizioneve që janë në favor të PD-së, ndërsa disa të tjerë në favor të PS-së. Nga monitorimi njëjavor konstatohet se një pjesë e medias reflekton disbalancë në pasqyrimin e fushatës së subjekteve politike, konform kohës që përcaktohet në kodin zgjedhor. Operatorët televizivë kanë demonstruar këtë javë tendenca për të kompensuar respektivisht kohën e forcave politike.

Gjithashtu, Bordi konstaton se mediat elektronike nuk respektojnë kodin zgjedhor lidhur me kohën që duhet të përfitojnë partitë parlamentare, të cilat kanë marrë deri në 20 % të vendeve në Kuvend, krahasuar me partitë parlamentare që kanë marrë më shumë se 20 %. 
BMM i propozon KQZ-së që televizionet që kanë disbalancë në kohën televizive kundrejt kandidatëve, ta kompensojnë atë me kohën televizive për subjektet zgjedhore.