Lajme Shqip Friday, 29 April 2011 10:34

Tiranë – Kandidatja e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për minibashkinë nr. 5 në kryeqytet, Erisa Xhixho, e shoqëruar edhe nga kandidati i këtij koalicioni për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, zhvilloi një ditë më parë një takim me banorë në zonën e Selitës në kryeqytet.

Në fjalën e saj kandidatja Xhixho tha se frymëmarrja e bizneseve të vogla është prioriteti ynë dhe angazhimi kryesor në punën time.

Gjatë bashkëbisedimit, përfaqësues të biznesit të vogël në këtë zonë i shprehën Xhixhos shqetësimin për taksat e larta që duhet të paguajnë, siç është ajo e gjelbërimit apo taksa e tabelës.

Kandidatja e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për minibashkinë nr. 5 siguroi se do të punojë për të ulur taksat, për t’i mundësuar atyre krijimin e vendeve të reja të punës.

“Ne angazhohemi për të hequr taksën e gjelbërimit pasi këtu gjelbërim nuk ka, taksën e tabelës, e cila ju merr një shumë të konsiderueshme si dhe për të ulur deri në tre herë taksën e pastrimit”, deklaroi Xhixho.

Në përfundim, Erisa Xhixho tha se “Aleanca për Qytetarin” ka një angazhim të madh për partneritet me biznesin, gjë e cila do të bëjë të mundur jo vetëm frymëmarrjen e bizneseve, por edhe shtimin e vendeve të reja të punës.