Lajme Shqip Saturday, 23 April 2011 09:24

Durrës – Kandidati i “Aleancës për Qytetarin” në bashkinë e Durrësit, Ferdinand Xhaferaj, paraqiti mbrëmjen e kaluar programin e administrimit të qytetit gjatë mandatit të ardhshëm.

Xhaferaj, i cili në garën zgjedhore të 8 majit ka përballë kryebashkiakun aktual, Vangjush Dako, që kandidohet nga koalicioni opozitar “Aleanca për të ardhmen”, për afro një orë ka sqaruar në mënyrë të detajuar projektin e tij mbi zhvillimin e Durrësit, duke u ndalur veçanërisht te shërbimet për qytetarët.

Infrastruktura e qytetit në vizionin e kandidatit të djathtë do të synojë lehtësimin e qarkullimit të automjeteve me hyrje dhe dalje edhe në pjesën veriore të Durrësit.

“Qyteti nuk mund të vazhdojë lëvizjen e tij lineare rrugore, e cila jo vetëm ka sjellë bllokimin e qendrës historike të qytetit dhe të bizneseve pranë tij, por e ka bërë të pamundur krijimin e një uniteti mes rrugëve lokale dhe atyre nacionale”, tha kandidati i “Aleancës për qytetarin”.

Rruga unazore, që do të lidhë bregdetin e Currilave me rrugën “Aleksandër Goga”, pranë spitalit, do të shoqërohet me tre kalime të tjera drejt autostradës Durrës-Tiranë, ndërsa by passi i Shkozetit, që vijon në Plepa, do të lehtësojë zonën e plazhit në jug të qytetit nga ngarkesa e madhe e trafikut.

Mes dy rrugëve që i drejtohen jugut të vendit kandidati Xhaferaj prezantoi projektin e ndërtimit të një rruge alternative, që do të disiplinojë përfundimisht edhe kanalin e ujrave të larta që kalon përmes lagjes 13, duke shkaktuar përmbytje në të gjithë zonën e plazhit.

Financimi i Bankës Botërore dhe Bankës Evropiane të Investimeve prej 60 milion USD, që pritet të nisë në vitin 2012, do të mundësojë ndërtimin e një linje paralele të furnizimit me ujë të pijshëm nga burimet e Fushë Kuqes (Kurbin) në Durrës, që do të dyfishojë prurjet.

Impianti i pastrimit të ujrave të zeza e të bardha, faza e parë e të cilit përurohet këto ditë, do të jetë fillimi realizimit të sistemit të ri të kanalizimeve në të gjithë qytetin, me një vlerë prej 11 milion USD, shtoi Xhaferaj.

Financimet për projektet e mësipërme do të mbështen në marrëveshjet me qeverinë dhe organizmat financiarë ndërkombëtarë, si dhe në partneritetin publik-privat, që do të mundësojë edhe krijimin e një parku të gjelbër në kodrat e Spitallës si dhe ristrukturimin e kodrës së Vilës.

“Ne duam të rikrijojmë sigurinë e banorëve në zonën e gjelbër, që u dhunua masivisht nga pallatet shumëkatëshe. Bashkë me rikthimin e gjelbërimit në zonat e lira si dhe sigurinë e banesave shumëkatëshe, programi ynë parashikon edhe rindërtimin e Vilës së ish-mbretit Zog, si një simbol që duhet t’i rikthehet qytetit”, tha Xhaferaj.

Mbyllja e landfillit në zonën e Spitallës dhe transferimi i tij në një impiant të përbashkët rajonal në komunën e Manzës, ishte premtimi tjetër i z. Xhaferaj, i cili u ndal më gjatë në trashëgiminë kulturore dhe historike të Durrësit.

Përveç rikonstruksionit të aksit kryesor nga rruga Tregtare te bulevardi Dyrrah dhe restaurimi i fasadave në të gjithë gjatësinë prej 2 km, Xhaferaj tha se amfiteatri dhe muzeu arkeologjik, ku kanë nisur të zbatohen projekte me vlerë 2.1 milion USD, do të jenë pjesë e “joshjes” së turistëve vendas dhe të huaj në parkun urban arkeologjik dhe në lagjet e brendshme të qytetit.

Katër parkime nëntokësorë dhe mbitokësore janë pjesë e programit të hartuar nga grupi i ekspertëve të mij dhe që do të shërbejnë për të lehtësuar veçanërisht lëvizjen e fëmijëve, të rinjve dhe të moshuarve që duan të përdorin biçikletat, tha më tej Xhaferaj, që u ndal gjerësisht edhe në projektin e kampusit universitar, në përmirësimin e rrjetit arsimor dhe në sistemin shëndetsor, prioritete të tjera të programit, mbi të cilat në fund të pranishmit bënë pyetje dhe sugjerimet e tyre.