Lajme Shqip Friday, 13 May 2011 12:32

Tiranë – Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, vlerësoi mëngjesin e sotëm përpjekjet e Shqipërisë për të forcuar demokracinw dhe për të numëruar me precizion çdo votë të vetme.

Wollfarth, i cili po ndjek nga afër ecurinë e procesit për numërimin e votave këtë mengjes në njësinë 5, KZAZ nr.49, në Tiranë, e konsideroi si të rëndësishëm faktin se vota po numërohet drejt.

“Vlerësoj përpjekjet per te forcuar demokracine dhe për të numëruar me precizion çdo votë të vetme. Në fakt ky është një hap para dhe shpresojmë që së shpejti te kemi rezultate. Gjithsesi po punohet mirë”, deklaroi kreu i OSBE-së në Tiranë.

Z. Wollfarth tha se sa më lehtë të jetohet demokracia, aq më të lehtë janë hapat që vinë dhe në fakt zgjedhjet janë pjesë kyçe e demokracisë, sepse japin edhe mënyrën se si e sheh vetë populli.

Kur kanë mbetur ende disa kuti të panumëruara në Tiranë në KZAZ 49, Wollfarth tha se përshtypja ime personale është se deri tani numërimi ka qënë mjaft i mirë, por ai theksoi se përgjigjen përfundimtare do ta japë raporti i ODIHR-it, i cili ka për të qënë mjaft i plotë.

Sa i takon qëndrimit të palëve pas përfundimit të numërimit të votave në këtë njësi, Wollfarth bëri të ditur se kjo do të varet nga konstatimet e paleve dhe partive. “Ajo që është e rëndësishme është që të kemi rezultate solide qe varen nga nje proces i mirë numërimi, i cili është duke u zhvilluar”, tha ambasadori Vollfarth.

Aktualisht, procesi i numërimit po vëzhgohet nga afër nga ndërkombëtarët, të cilët po ashtu, kanë monitoruar në vijimësi procesin paraelektoral, ditën e votimeve si dhe po ndjekin nga afër edhe procesin e numërimit.

Në ditën e zgjedhjeve ishin të pranishëm rreth 5000 vëzhgues vendas dhe të huaj, nga të cilët rreth 400 vëzhgues i përkasin misionit të OSBE/ODIHR-it, të cilët dy ditë pas 8 majit nxorrën edhe konkluzionet paraprake të procesit elektoral të zgjedhjeve vendore.

Në raportin paraprak u theksua se procesi ishte transparent, por u karkterizua nga mosbesimi mes palëve.