Lajme Shqip Thursday, 05 May 2011 12:47

Tiranë – Ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth, apeloi që “procesi i votimi duhet të jetë i lirë, por duhet gjithashtu që votat të hidhen në kuti pasi vetëm atëherë do të mësojmë se cili është vullneti i popullit”.

Gjatë një tryeze të rrumbullakët të “Forumi Civil 2010” për zgjedhjet e 8 majit, të organizuar nga ish- Presidentët Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani, Wollfarth theksoi rëndësinë e zhvillimit të një procesi të rregullt, që përfshin edhe kohën pas dhe gjatë hedhjes së fletëve të votimit në kuti.

“Të gjitha procedurat duhet të bëhen në përputhje me shtetin e së drejtës dhe, sipas shtetit të së drejtës, nuk duhet të ketë asnjë ndërprerje të procesit të votimi”, vuri ne dukje ambasadori Wollfarth.

Duke bërë apel që të trajtohen çështjet që mund të dalin brenda kuadrit ligjor, por të mos ndërpritet e drejta e qytetarit për të votuar, Wollfath tha se “elementi i shërbimit ndaj qytetarit është edhe thelbi i demokracisë dhe ky është edhe dallimi i madh nga një formë ekstremiste qeverie”.

Sipas tij, elementi i shërbimit do të thotë edhe që komisionerët të jenë të pranishëm në qendrat e votimit, ashtu sikurse edhe vullnetarët gjatë procesit të numërimit, të cilët vijnë nga të gjitha llojet e formimeve politike.

Gjithashtu ai vuri në dukje edhe faktin që qytetarët duhet t’i respektojnë komisionerët gjatë ditës së zgjedhjeve dhe gjatë procesit të numërimit, duke mos u ndërhyrë në punën e tyre.

Ndërsa lidhur me rezulatet pas përfundimit të procesit zgjedhor Ambasadori i OSBE-së kërkoi që ai të pranohet dhe të respektohet nga të gjitha forcat politike.

“Rezultatet janë absolutisht në duart e votuesve dhe politikanët e kandidatët janë të detyruar t’i pranojnë rezultatet dhe kjo fillon duke e pranuar rezultatin e duke mos vazhduar me mospranim të vazhdueshëm të rezultateve jashtë sistemit ligjor”, nënvizoi ai.

Sipas tij, kjo është një tentativë kundër demokracisë dhe kjo e shkatërron demokracinë. “Kjo nuk është e pranueshme dhe sigurisht që nuk e ndihmon Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit evropian”, përfundoi Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth.